Veseli premton rritje të pagave për 30%

Partia Demokratike e Kosovës të mërkurën pasdite ka mbajtur tubim zgjedhor në Klinë

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli premtoi se në qeverisjen e tyre do të ndërtojnë një shtet të fuqizuar ekonomikisht. Sipas Veselit synimi i Fillimit të Ri, është që ekonomia e Kosovës do të jetë më e fuqishme, në të cilën qytetarët e Kosovës kanë me pasur perspektivë. Sipas tij, prioritet do të jetë edhe fuqizimi i sektorit të bujqësisë.
Ai duke treguar se do të pesëfishojnë rritjen e eksporteve për të balancuar raportin tregtar, premtoi se për katër vitet e ardhshme 30 përqind të do të rriten pagat e të gjithë atyre në sektorin publik në Kosovë.

“Do të dyfishojmë numrin e të punësuarve në sektorin e prodhimit në të njëjtën kohë do të rrisim pagat, kur të kemi ekonomi të fuqishme mund edhe të rrisim pagat. PDK e ka dëshmuar se kur ka thënë e ka bërë. Ka rritur pagat e infermierëve, policëve, doktorëve, ushtarëve, administratës publike dhe zjarrfikësve. Andaj, ju jap fjalën të gjithëve se për katër vitet e ardhshme 30 përqind të do të rriten pagat e të gjithë atyre në sektorin publik në Kosovë”, tha Veseli.

Kryetari i degës së PDK-së dhe kryetari i komunës së Klinës, Sokol Bashota tha se sot në Klinë në këtë tubim madhështor PDK prezanton dy kandidatët e saj të cilët janë në listën e PDK-së, kandidati Ukë Berisha dhe Ramush Agushi. Sipas tij, PDK ofron vlera prandaj, të votohet fuqishëm subjekti me numër 12.

Sipas Bashotës, PDK duhet fuqishëm t’i fitojë këto zgjedhje të jashtëzakonshme, për faktin se janë përballë dy subjekteve tjera të cilët njëri prej tyre nuk mundi dhe nuk diti kurrë t’i çojë përpara çështjet e këtij vendi dhe tjetri është ai i cili deri më sot institucionet e Kosovës të krijuara nga gjaku i derdhur i ka djegur. Prandaj sipas Bashotës, PDK ia mbyll shtigjet atyre që nuk munden me punuar dhe nuk dinë me punuar për vendin dhe atyre që nuk e donë Kosovën dhe e djegin Kosovën.

Veseli sot ka mbajtur tubime zgjedhore në Pejë, Istog ndërsa në mbrëmje do të mbajë një tubim në fshatin Zhabar të Mitrovicës./21Media

Back to top button