Vështirësitë e të ushqyerit te fëmijët me autizëm

Çrregullimi i spektrit të autizmit është një çrregullim neurobiologjik që karakterizohet me vështirësi për të arritur një zhvillim të plotë funksional. Autizmi quhet spektër për shkak të tipeve të shumta dhe të niveleve të ndryshme të vështirësisë që personat përjetojnë.
Në një përgjigje për portalin rtv21.tv psikologia dhe terapistja e sjelljes Samire Shkodra-Azizi, ka thënë se për ta diagnostikuar duhet t’i dimë disa nga shenjat më të shpeshta që shfaqen.
“Për të arritur një diagnostikim duhet të kemi parasysh disa nga shenjat më të shpeshta që mund të hasim në çfarëdo moshe. Disa nga këto shenja janë mungesa e komunikimit verbal dhe joverbal, vështirësia për të arritur dhe mbajtur një kontakt me personat tjerë, ndjeshmëritë senzorike, sjelljet stereotipike, vështirësitë për të rregulluar dhe shprehur emocionet, si dhe vështirësia për të ndërruar rutinat”, tha Shkoda-Azizi për portalin rtv21.tv.
Psikologia foli edhe për rolin e të ushqyerit te fëmijët me autizëm, kur tha se përmes ushqimit fëmijët mund t’i marrin vlerat dhe përmbajtjet e nevojshme për t’u zhvilluar dhe për të funksionuar si organizëm.
“Ushqyerja është një nga reflekset bazike që krijohet tek individët që nga lindja. Përmes të ushqyerit arrijmë të marrim vlerat dhe përmbajtjet e nevojshme për t’u zhvilluar dhe për të funksionuar si organizëm. Duke qenë se çrregullimi i autizmit ndikon që fëmijët të kenë vështirësi për të ndërruar rutinën, për të provuar diçka të re si dhe ndjeshmëria e lartë e prekjes, nuhatjes dhe shijes ndikon që shpesh herë femijët të kenë vështirësi në ushqyerje”, tha më tej psikologia.
Si karaterizohet vështirësia në të ngrënë te fëmijët me autizëm?
“Për të identifikuar një vështirësi në ushqyerje si tek fëmijët ashtu edhe tek të rriturit janë: vështirësia për të provuat ushqime të reja, përzgjedhja e ushqimeve të caktuara, përzgjedhja e ambienteve dhe personave të caktuar për të ngrënë, si dhe uria e luhatshme”, ka thënë psikologia Shkodra-Azizi.
Psikologia tha se së pari duhet identifikuar shkakun, simptomat dhe vështirësitë.
“Për të trajtuar çdo vështirësi tek fëmijët me autizëm, së pari duhet të identifikojmë shkakun dhe simptomat e vështirësitë. Nuk mund të aplikojmë ndërhyrje të njëjtë në situata dhe fëmijë të ndryshëm. Personat të cilët bëjnë këto trajtime janë terapistët e sjelljes dhe ergoterapistët. Kur fëmijët kanë vështirësi për të provuar ushqime të reja, atëherë gradualisht fillojmë të prezantojmë ushqimet e reja tek fëmijët. Kjo bëhet duke prezantuar formën, ngjyrën dhe shijen e ushqimit. Nëse fëmijët hanë vetëm në ambiente dhe me persona të caktuar, si p.sh. vetëm në shtëpi ose vetëm me nënën, atëherë me ushqimet e preferuara të fëmijës fillojmë të ambientohemi edhe në ambientet e reja dhe me persona të rinjë”, tha për portalin rtv21.tv psikologia Shkodra-Azizi.
Psikologia gjithashtu tha se fëmijët shpesh herë kanë luhatshmeri të urisë dhe kjo bën që jo çdo herë ata të jenë të uritur në kohën e mëngjesit, drekës apo darkës. Në këtë mënyrë këshillojmë prindërit të mos japin ushqime ndërmjet shujtave, për të arritur urinë e fëmijës dhe në këtë mënyrë të arriijmë një ushqyerje të duhur.
“Pasi të fillojmë me ndërhyrjet e caktuara, fëmijët në shumicën e rasteve fillimisht shfaqin refuzime, të qajtura apo luhatje të disponimit. Por, për të pasur një arritje produktive në secilën ndërhyrje, duket të ketë bashkëpunim mes prindërve dhe terapistëve të sjelljes. Fëmijët shpërblehen për çdo arritje që kemi pas si synim”, shtoi më tej ajo./21Media

Back to top button