Vetëvritet një 33-vjeçar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali

Sot rreth orës 07:45 në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, i paraburgosuri 33 vjeçar me inicialet Y.D, është gjetur i vetëvarur me jelekun e tij në dritarën e dhomës.
Lajmin e ka konfirmuar Shërbimi Korrektues i Kosovës përmes një komunikate për media.
“Me të kuptuar për rastin, i menjëhershëm ka qenë intervenimi i stafit korrektues dhe atij mjekësor të qendrës, me ç’rast edhe është dërguar me urgjencë në Emergjencën e SHSKUK-së, por përkundër përpjekjeve për reanimim nuk kanë arritur të kthejnë në jetë, dhe si pasojë i njëjti ka ndërruar jetë ne QKUK”, thuhet në komunikatë.
Sipas SHKK-së, Y.D ka qenë përdorues i drogave me çrregullime mendore, recidivist për dhune në familje, nën trajtim psikiatrik, psikologjik dhe mjekësore. Po ashtu gjatë gjithë kohës ka qenë nën përcjellje, varësisht nga gjendja e tij shëndetësore.
Y. D ishte i dyshuar për veprën penale dhunë në familje.
Lidhur me rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe prokurori, ndërsa SHKK ka themeluar Komisioni Hetimor Administrativ.
Stafi mjekësor i Qendrës së Paraburgimit Prishtinë ka përgatitur dokumentacionin e nevojshëm lidhur me rastin./21Media

Back to top button