Vijon operacioni “Vjosa e pastër”, arrestohet një person

Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Fier, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mallakastër, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, gjatë kontrolleve të vazhdueshme përgjatë shtratit të lumit Vjosa, falë dhe informacioneve të qytetarëve, në vijim të operacionit policor të koduar “Vjosa e pastër”, kanë arrestuar të dyshuarin E. L., 25 vjeç, banues në Adë, Fier.
Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi A. A., 46 vjeç, banues në Hekal, Mallakastër.
Shtetasi E. L. është gjetur nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Mollaj”, në shtratin e lumit Vjosa, duke gërryer dhe marrë inerte me kamionë, ndërsa shtetasi A. A., pronari i kamionit, është shpallur në kërkim.
Nga shërbimet e Policisë së Shqipërisë është sekuestruar një fadromë dhe dy kamionë që shërbenin për marrjen e inerteve.
“Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme. Drejtoria e Policisë Fier apelon për të gjithë qytetarët që të mos tentojnë të kryejnë krime mjedisore, si ndërtime pa leje, prerje të paligjshme të pyjeve, ndotje të ajrit, ndotje të ujërave apo çdolloj krimi tjetër, pasi do të përballen me forcën e ligjit”, thuhet në njoftimin e Policisë./21Media

Back to top button