Vitia: Mirë u takofshim sërish, drejt bashkëqeverisjes

Kandidati i VV-së për kryetar të Prishtinës, Arben Vitia pas rezultateve të KQZ-së me ç’rast shkoi në balotazh me Përparim Ramën nga LDK-ja falënderoi të gjithë për mbeshtetjen.
”Me përulësi dua t’i falënderoj në rend të parë të gjithë qytetarët për kulturen e lartë në këtë proces zgjedhor demokratik dhe mbështetjen e tyre të fuqishme.
Falënderim i përzemërt edhe për të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit që dje ishin në ballë të këtij procesi duke u kujdesur që vullneti i secilit qytetar të shkojë në adresën e duhur”, shkroi Vitia në Facebook.
Vitia tutje shtoi se Prishtina mbrëmë e ka vlerësuar planin e tyre për kryeqytetin, duke i vendosur në avantazh në këtë garë.
”Ne jemi të gatshëm dhe do të jemi në ballë të sfidës së re të vendosur nga qytetarët. Në katër javët që kemi përpara do të jemi në çdo lagje e fshat të qytetit për të paraqitur planet tona për kryeqytetin. Do të paraqesim ëndrrën tonë për Prishtinën. Të dashur aktivistë e vullnetarë të kësaj fushate, do të takohemi pa humbur kohë. Së bashku do të trokasim në çdo derë të qytetarëve tanë e bashkë do të flasim për alternativën tonë. Me këtë frymë do ta sjellim ndryshimin e do ta sigurojmë fitoren tonë të re, e cila do të jetë e secilit prej nesh. Mirë u takofshim sërish, drejt bashkëqeverisjes”, shkroi ndër tjera Vitia./21Media

Back to top button