Vitia për vdekjen e 4-vjeçares: S’bëhet fjalë për shenja dhune, është diagnostikuar me SEPS
Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka raportuar në Komisionin për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale lidhur me vdekjen e vajzës katër vjeçare nga Gjakova.
Vitia është shprehur se sipas raporteve nga Spitali i Gjakovës, QKUK-së dhe ekzaminimeve që janë bërë, nuk bëhet fjalë për shenja dhune, ashtu siç kanë pretenduar prindërit e saj, por pacientja është diagnostikuar me SEPS.
Ndërsa ka thënë se për diagnozën përfundimtare duhet t’i presim rezultatet e hetimeve që kanë nisur.
“Është diagnostikuar me Seps. Për diagnozën përfundimtare duhet t’i presim dhe rezultatet e fundit të hetimeve që kanë nisur. Kjo lloj e Sepse që është infeksion i rëndë i gjakut dhe se vdekshmëria është shumë e lartë. Sipas raporteve dhe bisedave me profesionistët e fushës. që i kanë trajtuar pacientët s’ka shenja që ka pasur shkaktarë të jashtme që e kanë rënduar gjendjen e pacientes”, ka thënë Vitia.
Tutje ka shtuar se edhe pse duhet priten rezultatet përfundimtare, duket që ka qenë një bakterie që gjendet në hundë, dhe me rënien e imunitetit mund të shkaktojë diagnozë të tillë të rëndë që në raste jo të rralla është vdekjeprurëse.
“Shkaktari dhe pse duhet t’i presim rezultate përfundimtare, duket që ka qenë një bakterie që gjendet në hundë, dhe me rënien e imunitetit mund të shkaktojë diagnozë të tillë të rëndë që në raste jo të rralla është vdekjeprurëse. Për momentin çdo pretendim të diagnostikimit me kohë është sfidë për mjekësisë. Këtë do ta vërtetojnë hetimet. Por çdo pretendim tani që çdo veprim ndryshe se ka mund të jetë epilog tjetër për momentin qëndron vetëm si spekulim”, ka shtuar Vitia.