Vitia: Projektligji ndalon përcaktimin e gjinisë në rastet e fertilizimit të asistuar mjekësor

Në Kuvendin e Kosovës është diskutuar të enjten Projektligji për shëndet riprodhues dhe fertilizim të asistuar mjekësor.
Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se pas dy vjetësh qeverisje, në Kuvend ka ardhur projektligji i parë nga shëndetësia.
Megjithatë, ai ka thënë se nuk duhet të ketë ndërhyrje te përcaktimi i gjinisë me këtë ligj.
“Nuk dua të hy në diskutime a është më e rëndësishme që në Kuvend të vije ligji për transplantimin e organeve a ky ligj. Ka nevojë Kosova që ta rregullojë këtë çështje por duhet pasur në konsideratë edhe faktorët e kësaj sfere që është përdorur edhe për biznes. Uroj qe masat parandaluese që do t’i vendosim për aspektin e biznesit të jenë të rrepta ndëshkuese. Ky projektligj tek ndëshkimet aktualisht është në kundërshtim me kodin penal. Në kodin penal ndërprerja e shtatzënisë është veprim penal, në këtë ligj është kundërvajtje. Ne në Komision kemi abstenuar te çështja për përcaktimin e gjinisë. Përcaktimin e gjinisë e ka vetëm Zoti dhe askush tjetër. Jam këtu qe të mos ketë ndërhyrje në përcaktimin e gjinisë duke e ditur mentalitetin e popullatës sonë që anojnë kah gjinia mashkullore, atëherë brenda disa vjetëve mund të ketë ndryshim të strukturës gjinore të popullatës. Duhet të bëhet ky ndryshim në mes të dy leximeve, dhe për këtë arsye në këtë fazë derisa nuk merren parasysh vërejtjet tona ne do të abstenojmë në votimin e këtij ligji”, ka thënë Haxhiu.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se përcaktimi i gjinisë përmes metodave mjekësore ndalohet, përpos rasteve specifike që lidhen me sëmundje.
“Ndalohet përcaktimi i gjinisë, ndalohet, por janë disa sëmundje të trashëgueshme qe barten vetëm tek njëra gjini, prandaj kjo ka qenë arsye që përjashtohet në raste specifike”.
Vitia ka thënë se shëndeti riprodhues është ndikuar për shkak se nuk ka pasur legjislacion adekuat.
Për këtë arsye, ka thënë Vitia, është paraparë plotësim-ndryshimi i kornizës ligjore.
“Aktualisht shëndeti riprodhues është i rregulluar me ligjin për shëndetin riprodhues. Deri tani shëndeti riprodhues është ndikuar nga mospasja e legjislacionit adekuat. Në këtë drejtim është paraparë plotësim ndryshimi i kornizës ligjore. Më 2017 është hartuar konceptdokumenti por nisma nuk është finalizuar. Për një kohe të gjatë grupet punuese hulumtuan gati të gjitha rastet në BE për të dalluar zhvillimet në ketë fushë. Është trajtuar nga profesionistë. Shtylla e rregullimit të kësaj fushe do të jenë institucionet publike të cilat kanë përgjegjësi ligjore e kushtetuese. Për kujdes te sigurt dhe shëndetësor që ofrohet në shëndetin riprodhues ky ligj përfshin: Fertilizimin e asistuar mjekësor, përcaktimin e përgjegjësive institucionale, sanksionet administrative, organizimin e një programi që do të përfshinte kapacitetet dhe infrastrukturën e duhur”, ka thënë ai.
Ndërkohë, Kuvendi ka miratuar Ligjin për Pyjet dhe Ligjin për sigurinë e përgjithshme të produkteve

Back to top button