Kaloni te përmbajtja kryesore

”Vizita e Brendan Hanrahan sinjal serioz i SHBA-ve”

Ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, Brendan Hanrahan, nis vizitat e tij në Kosovë, Serbi dhe Bonjë e Hercegovinë, në kujtim të 30 vjetorit të marrëveshjes së Daytonit që i dha fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Vizita e tij është e para e një zyrtari të lartë amerikan që prej ndërrimit të administratës amerikane në janar të këtij viti dhe realizohet në një kohë kur në Kosovë nuk ka ende institucione të krijuara.

“Pres me padurim përforcimin e lidhjeve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe shteteve në rajon”. tha Brendan Henrahan, ndihmës sekretar i Shtetit amerikan.

Zyrtari i lartë amerikan megjithatë nuk dha hollësi të tjera për vizitën e tij në Ballkan. Por në Kosovë kjo vizitë vlerësohet të jetë lëvizja e parë e SHBA-ve për rikthimin e vëmendjes në rajon. Me ndihmës sekretarin e shtetit amerikan në detyrë, një ditë më parë është takuar edhe presidentja Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit të saj në SHBA.

“Kosova është e gatshme ta avancojë bashkëpunimin me SHBA-të në fusha kyç si mbrojtja, ekonomia, si dhe investimet strategjike me interes të ndërsjellë”, tha Osmani

Vizita e zyrtarit të lartë të SHBA-ve, po ndodhë në një kohë kur Kosova ka hyrë në një ngërç politik dhe kur partitë politike kanë këmnëgulur në mos bashkëpunim me njëra tjetrën. Ish-drejtori i përgjithshëm në ministrinë e jashtme, ambasador Albert Prenkaj, për RTV21 thotë se vizita e sekretarit të shtetit në detyrë, mund të sjellë kërkesën për formimin sa më të shpejtë të institucioneve.

“Kemi parë në të kaluarën ambasadorin Hovennier dhe ambasadorët e BE-së që japin këshilla, qortojnë, mirëpo në këtë periudhë 4-5 vjeçarë kanë kujtuar se politika kosovare dhe vetëdija e qeverisjes është pjekur në një shtet sovran dhe nuk kanë nevojë të intervenohet në mënyra brutale dhe kësaj radhe shpresoj se përfaqësuesi i SHBA-ve do të vijë me këshilla krejt miqësore që të përshpejtohet  themelimi i kuvendit”, tha Prenkaj.

Ndonëse ende nuk dihet qëllimi i vizitës së zyrtarit të lartë amerikan, njohësi i rrethanave politike, Shemsi Jashari, thotë se ardhja e tij, në secilën rrethanë është pozitive.

“Nuk besoj që agjenda e këtij zyrtari do të jetë që të merret me zhbllokimin e institucioneve, por, do të ketë thirrje për krjimin e institucioneve dhe marrjen e përgjegjësisë por vizita e tij në secilin variant është e mirëseardhur për faktin që të rikujtoi klasës politike se vëmendja e SHBA-ve është në Kosovë …”, tha Jashari.

Presidenti amerikan Donald Trump në një numër rastesh e ka përmendur çështjen e Kosovës dhe Serbisë, duke deklaruar se e ka parandaluar një konflikt të madh, për të cilin autoritetet në Kosovë janë deklaruar se nuk janë në dijeni./RTV21/21Media

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button