Vizitat falas në muze

 
 
Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren do t’iu ofrojë hyrjen falas mysafirëve të Dokufest gjatë ditëve të festivalit.
Nga data 06-14 gusht në muzetë si Kompleksi Monumental i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Muzeu Arkeologjik i Regjionit të Prizrenit si dhe Ekspozita në Kalanë e Prizrenit hyrjet do të jenë falas për mysafirët e Dokufest.
Kjo është bërë e ditur me rastin e nënshkrimit të sotëm të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet drejtorit të QRTK-së në Prizren, Samir Hoxha dhe drejtoreshës ekzekutive të Dokufest, Linda Llulla.
Hoxha tha se nënshkrimi i këtij memorandumi është edhe një përpjekje shtesë e institucioneve tona që të krijojnë përqendrim më të madh të turistëve nëpër muzetë e Prizrenit gjatë sezonit veror.
Ndërsa Llulla falënderoi drejtorin e QRTK në Prizren, për gatishmërinë e tij dhe të institucionit që drejton për të bashkëpunuar në realizimin e këtij festivali me rëndësi të madhe në fushën e kulturës dhe të trashëgimisë kulturore.
“Dokufest është një projekt tepër i rëndësishëm për qytetin e Prizrenit, Kosovën si dhe rajonin në përgjithësi, andaj ky memorandum bashkëpunimi ka për qëllim promovimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të qytetit të Prizrenit te personat jo-rezident të Prizrenit gjatë kohës sa zhvillohet kjo ngjarje kulturore”, thuhet në njoftim.
Ngjarja kulturore Dokufest, i cila zhvillohet në sezonin e verës, krijon një përqendrim më të madh të turistëve gjatë kësaj periudhe në Prizren, andaj konsiderohet e nevojshme që këtyre turistëve t’iu ofrohet mundësi që të njihen me muzetë e Prizrenit.

Back to top button