Vlerësohet lart roli i medias në promovimin e sportit

 
Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) po mban edicionin e pestë të konferencës ndërkombëtare “Sporti dhe Media”, në kuadër të së cilës po diskutohet për rëndësinë mediave në promovimin e sportit.
Me këtë rast, i pari i KOK-ut, Ismet Krasniqi tha se Komiteti Olimpik ka një bashkëpunim shumë të mirë me mediat në vend dhe premtoi se do të jetë i përkushtuar për vazhdimin e këtij bashkëpunimi.
“Komiteti Olimpik i Kosovës ka një bashkëpunim të frytshëm me të gjutha mediat e Kosovës, të cila ne i konsiderojmë si krahu i djathtë i aktiviteteve tona dhe promovimit të sportistëve tanë. Ky bashkëpunim i mirë kulmoi gjatë këtij viti edhe me dërgimin e gjashtë gazetarëve në Lojërat Olimpike Tokio 2020 të cilët patën mundësinë që të ndjekin nga afër të ndjekin suksesin historik te ekipit tonë olimpik i cili në Kosovë u kthye me dy medalje të arta. Ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në Lojërat Olimpike dimërore ‘Pekin 2020’ ku do të kemi gazetarë por që marrëdhëniet e mira do t’i vazhdojmë edhe në proceset tjera të përbashkëta që na presin përpara”, tha Krasniqi.
Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Daulina Osmani, deklaroi se duke iu falënderuar mediave vendore, sportistët e Kosovës janë bërë ambasadorët më të mirë të promovimit të shtetit të Kosovës.
“Organizimi i kësaj konference që tashmë është shndërruar në një organizim tradicional ka rëndësi të veçantë për komunitetin sportiv dhe gazetarinë sportive më konkretisht. Ky vit ka qenë më i suksesshmi në historinë e shkurtër të vendit tonë, tashmë i kemi fituar dy medalje brenda këtij viti dhe tri në total edhe me atë të Majlindës, arritje të cilat jo vetëm që kanë bërë bujë në mediat tona dhe që kanë luajtur rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në zhvillimin e sportit në vend, por po ashtu kanë bërë bujë edhe në mediat ndërkombëtare duke e shndërruar sportin në ambasadorin kryesor të promovimit të shtetit të Kosovës. Me këtë kemi kuptuar sesa e rëndësishme është prezenca mediale në aktivitetet sportive, sidomos kur arrihen rezultate kulmore”, tha Osmani.
Kurse sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës Ndërkombëtare të Gazetarëve Sportivë (AIPS), Jura Ozmec foli për evoluimin e gazetarisë sportive ndër vite ku bëri të ditur se në kohën e sotme mundësitë për ta ushtruar këtë profesion janë shumë më të mëdha, krahasuar me kohën kur ai e kishte filluar këtë punë.
“Në kohën time, kur fillova unë, ishte viti 1982, nuk kishim mundësi të kishim shkollë për gazetari sportive, nuk kishim mundësi të kishim projekte speciale të veçanta, nuk kishim mundësitë që keni ju këtu e që jam krenar për këtë, për mundësinë që gazetarët e vjetër po i shtyjnë gazetarët e rinj, kjo është një gjë shumë e mirë”, tha ai Ozmec.
Më tutje, në diskutimin e hapur ndërmjet të pranishmëve u vlerësua lart raporti ndërmjet mediave sportive dhe federatave të sportit, ndërkohë që u bë thirrje për mbështetje më të madhe të gazetarisë hulumtuese në Kosovë.
Në këtë konferencë u tha po ashtu se lajmet e rrejshme janë shndërruar në një kancer që po e dëmton jashtëzakonisht shumë informimin e drejtë sportiv dhe u kërkua që të hartohet një strategji për parandalimin e kësaj dukurie shumë negative.

Back to top button