Von Cramon e pikëlluar që festivali “Sunny Hill” nuk do të mbahet në Prishtinë

Eurodeputetja Viola von Cramon ka reaguar pas anulimit të mbajtjes së festivalit “Sunny Hill” në Prishtinë dhe zhvendosjen e tij për në Tiranë.
Von Cramon ka thënë se ndihet e pikëlluar që Festivali “Sunny Hill” s’do të mbahet në Prishtinë.
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka thënë se ky është gabim strategjik.
Von Cramon tutje ka thënë Qeveria e Kosovës do të duhej ta siguronte “Sunny Hill-in” që të mbahej në Prishtinë.
“Jam e pikëlluar që Festivali ‘Sunny Hill’ s’do të mbahet në Prishtinë këtë verë. Është një gabim strategjik pasi që sjell njerëz në Kosovës dhe promovon rininë. Qeveria e Kosovës do të duhej ta siguronte ‘Sunny Hillin’ që të mbahej në Prishtinë dhe shpresoj që do të rikthehet aty”, ka shkruar ajo në Twitter.


Festivali “Sunny Hill” nuk do të organizohet në Prishtinë, ka njoftuar dje Dukagjin Lipa, themelues dhe organizator i këtij festivali. Ai ka thënë se arsyeja e mosmbajtjes së festivalit në Prishtinë është “për shkak të vonesave të shumta të shkaktuara nga mungesa e përgjigjes dhe vendimit përfundimtar për dhënien në shfrytëzim të hapësirës për festivalin”.
Edicioni i tretë i festivalet ishte planifikuar të mbahej në Prishtinë nga 4 deri më 7 gusht 2022. Por, tashmë në këto data i njëjti është zhvendosur në Tiranë./21Media

Back to top button