Vonesa në fillimin e seancës plenare nxitë debat në Kuvend

 
Vonesat e vazhdueshme të fillimit të seancave plenare kanë nxitur debat sot në Kuvendin e Kosovës.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, tha se seanca e sotme po fillon me 43 minuta vonesë dhe kjo sipas tij, është një papërgjegjësi.
“Ora është 11:43 minuta dhe ne po fillojmë me 43 minuta vonesë dhe ne grupi ynë parlamentar për shkak të marrëveshjeve ndërkombëtare nuk kemi shkuar në pushim. Ju lutem, pasi thirrni seancën ejani me kohë dhe nëse s’vini me kohë lajmëroni që mos të qëndrojmë në sallë sikur huta, por të shkojmë edhe ne në zyrat tona”, tha ai.
Por atij i reagoi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili tha se vonesat e deputetëve e kanë përcjellë legjislativin gjithmonë.
Kryeparlamentari tha se ai nuk e ka problem të shkon në seancë edhe 10 minuta para kohës së caktuar, por kjo sipas tij duhet të rrisë vigjilencën e deputetëve të vijnë me kohë.
“Sa për kryetarin e Kuvendit seanca ka mundur të fillonte edhe në orën 8:00, por problemi me të vërtetë është dhe e ka përcjellë Kuvendin gjithmonë. Unë e kam provuar Besnik edhe ty, me të pritë gjysmë ore. Gjysmë ore të kam pritur ta gjejë edhe seancën, unë jam mësuar me ardh në Kuvend edhe kur kanë qenë pesë deputetë, por problemi është se këto pritjet e mia për juve nuk mu kanë dukur efektive, që e ngrit vigjilencën për ardhjen në seancë. Pasi unë vij s’është problem edhe para 10 minuta, në 11:00 iu pres”, shtoi ai.
Në këtë debat u përfshi edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Avni Dehari, i cili kërkoi që prej sot e tutje seancat të fillojnë në kohë.
“A e lajmë të kaluarën, pasi këto parregullsi na kanë përcjell çdo herë, por prej sot e tutje kur të caktohet koha të jemi (në seancë)“, tha ai.

Back to top button