Voziti 191 km/orë, policia ndëshkon kosovarin rezident në Angli, arrestohen 14 shoferë

Policia gjatë 24 orëve të fundit ka arrestuar 14 drejtues mjetesh, të cilët janë kapur duke lëvizur me shpejtësi të lartë. Mësohet se 7 prej tyre janë arrestuar për drejtim mjeti pa leje drejtimi dhe 7 për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Në Rrugën e Kombit, në drejtimin e lëvizjes Kukës-Rrëshen, nga Njësia Operacionale e Policisë Rrugore është konstatuar me radar shtetasi kosovar E. B., rezident në Angli, duke qarkulluar me një mjet “Jaguar”, me shpejtësi 191 km/orë. Ky drejtues është ndëshkuar me masë administrative 40.000 lekë të rinj.
“Shpejtësi të larta janë konstatuar nga shtetas të tjerë kosovarë, rezidentë në Zvicër, Angli e vende të BE-së, që qarkullonin me shpejtësi deri në dyfishin e normës së lejuar, në Bypass-in e Fierit dhe në Tiranë-Durrës-Kavajë.”, ka njoftuar policia.
Po ashtu, janë pezulluar 56 leje drejtimi, nga të cilat 36 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 20 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur.
Janë ndëshkuar me masë administrative, në të gjithë vendin, 2019 drejtues mjetesh, për shkelje që sjellin pasoja në jetën dhe shëndetin e përdoruesve të rrugës.
Policia rrugore, nisur nga fakti se në akset rrugore përgjatë gjithë ditës së sotme ka pasur dhe vijon të ketë fluks të lartë të automjeteve që qarkullojnë në të dyja kahet e lëvizjes, apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës që të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor./vizionplus

Back to top button