“Vrasja e policit, sulm mbi shtetin”

Sindikata thekson se është e pajustifikushme që edhe pas 19 vitesh prej themelimit të Policisë të mos kenë sigurime

Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar pas vrasjes së zyrtarit policor, Izet Demajt, duke theksuar se çdo sulm mbi pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk mund të definohet ndryshe përpos si akte të dhunshme dhe sulme mbi shtetin e Kosovës.

“Policia e Kosovës është polici e popullit të Kosovës, e cila në praktikë zbaton misionin më fisnik të definuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, Ligjin e Policisë dhe ligje tjera. Të gjithë qytetarëve, si dhe institucioneve të shtetit ka për detyrë dhe u ofron rend, qetësi dhe siguri. Këtë e bëjnë çdo ditë dhe në vazhdimësi do ta bëjnë, prandaj theksojmë se çdo sulm mbi pjesëtarët e Policisë së Kosovës nuk mund të definohet ndryshe përpos si akte të dhunshme dhe sulme mbi shtetin e Kosovës”, bëhet e ditur në komunikatën e sindikatës.

Lidhur me sigurimet shëndetësore dhe aksidentale të policëve, sindikata e policisë është shprehur se kjo çështje është tepruar me vonesë.

“Për ne është e pa justifikueshme, që edhe pas 19 vitesh prej themelimit të Policisë së Kosovës të mos kemi sigurimin shëndetësor, aksidental dhe jetësor për punonjësit e Policisë së Kosovës. Të gjitha rastet deri më tash, sikur edhe rasti i mbrëmshëm tragjik janë dëshmi e fuqishme se urgjentisht, pa humbur kohë institucionet e vendit të zgjidhin këtë çështje kruciale, jetike për punonjësit e Policisë së Kosovës”, bëhet e ditur më tutje në komunikatën e sindikatës së policisë së Kosovës.

Nesër me vendim të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, e shtuna do të jetë ditë zie në nderim të rënies në detyrë të policit që vdiq si pasojë e plagëve të marra nga shkëmbimi i zjarrit me një plaçkitës banke në Istog.

Polici Izet Demaj ka qenë edhe ushtar i UÇK-së në betejën e Koshares./21Media

Back to top button