Vrasja në Gjilan, Haradinaj mohon që polici ishte pjesë e mbrojtjes së tij të afërt

Haradinaj: Asnjëherë nuk ishte pjesë e ekipit tim të mbrojtjes së afërt

Kryeministri i Kosovës në detyrë,  Ramush Haradinaj, ka thënë se zyrtari policor që kreu vrasjen në Gjilan, nuk ka qenë asnjëherë pjesë e ekipës së tij të mbrojtjes së afërt.

Haradinaj ka thënë se as kjo përpjekje dhe as njollosjet e mëhershme dhe as të tjerat që mund të vijnë, “nuk do të na ndalin, që në çfarëdo detyre institucionale, ta mbrojmë Kosovën nga copëtimi dhe nga pazaret e një grusht profiterësh”.

“Qëndrimi i palëkundur kundër ndarjes së Kosovës dhe kundër pazareve të errëta të këmbimit të territoreve, po vazhdon t’i pengoj shpifësve dhe propaganduesve, që në emër të informimit, qëllimshëm shpërndajnë dezinformata dhe të pavërteta, duke etiketuar emrin tim. Përkundër që ne e dënuam vrasjen e një qytetari nga ana e një polici, bëmë thirrje për organet e rendit që të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore dhe sqaruam që polici në fjalë, asnjëherë nuk ishte pjesë e ekipit tim të mbrojtjes së afërtë, disa mediume, të shtyrë nga propaganda e politikës së ndarjes, vazhdojnë ta etiketojnë dorasin si person të afërtë me emrin tim. As kjo përpjekje dhe as njollosjet e mëhershme dhe as të tjerat që mund të vijnë, nuk do të na ndalin, që në çfarëdo detyre institucionale, ta mbrojmë Kosovën nga copëtimi dhe nga pazaret e një grusht profiterësh. Kosova do të jetë ajo e 17 Shkurtit, për të cilën dhanë jetë luftëtarët tanë, sakrifikuan nënat dhe familjet tona, intelektualët tanë dhe çdo shqiptarë!”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Pas vrasjes, e cila ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit në Gjilan, Prokuroria Themelore e Gjilan ka kërkuar paraburgim për të dyshuarin. I dyshuari i cili është pjesëtar i Policisë së Kosovës, është arrestuar edhe është në mbajtje për 48 orë./21Media

 

Back to top button