Vrasjet po cënojnë sigurinë publike, vazhdojnë thirrjet e qytetarëve për reflektim të institucioneve

Policia e Kosovës arrestoi në Pejë 11 persona, në Gjilan dy dhe në Prizren dy persona të tjerë për armëmbajtje pa leje. Arrestimet u bënë në kuadër të operacionit Goditja, që nisi pas incidentit në Prishtinë, kur në një lokal u vra një dhe u plagosën mbi 20 persona të tjerë. Brenda më pak se një jave, tre persona u vranë në gjithë Kosovën duke shtuar shqetësimet për sigurinë publike.

“Më 8 e 9 gusht 2023, gjatë realizimit të detyrave që rrjedhin nga urdhri në fjalë, në tërë vendin janë regjistruar këto të dhëna: Janë angazhuar 823 patrulla policore (të njësive të ndryshme policore), janë vendosur e realizuar 871 Pika për Kontrollin e Automjeteve (PKA), janë realizuar 331 pika kontrolli me radar ose alkootest, janë kontrolluar 4848 vetura, janë kontrolluar 102 lokale të ndryshme, janë konfiskuar 19 armë të ndryshme, janë arrestuar 14 persona të kërkuar me urdhëresë nga gjykatat dhe aktivitete tjera që lidhen me ofrimin e sigurisë ”
Incidentet me armë zjarri krijuan pasiguri tek qytetarët. I riu nga Prishtina, Shpëtim Sinani thotë se ndjehet i pasigurt të frekuentoj vendet ku dalin të rinjtë për tu argëtuar.

“Nuk ka mbetë me dalë hiq, nuk po ndihemi të sigurtë…”

Ndër qytetar tjerë nuk mbajnë mend të kenë ndodhur raste të shpeshta të vrasjeve përderisa numri i madh i armëve ilegale në duart e qytetarëve në Kosovë po paraqet problem për sigurinë publike.

Por, ish drejtori i Policisë së Kosovës, Reshat Maliqi, thotë se armëmbajtja me leje ka gjasa të keqpërdoret.

“ Ai armatim tu ipet vetëm atyre që e japin testin që vërtetë sipas ligjin i plotësojnë kushtet dhe janë persona që nuk kanë të kaluar kriminale them me bindje se tani po blihen në mënyrë legale dhe ata të cilët nuk është dashur që në asnjë rrethanë të kenë armë në posedim sepse po përdorën për krime dhe vrasje të ndryshme . Kisha apeluar kompanitë të cilat mirren me importin e amratimit tu japin atyre që i plotësojnë kushtet”, deklaroi ai.

Ndërkohë, instruktori i shenjtarisë Tomor Nishori tha se armët të cilat merren me leje kanë një rregullore për përdorimin e tyre dhe se të njejtat nuk lejohet të përdoren për qëllime kriminale.

“Pasi që të merret leja, është leje për shënjtari, ndoshta dikush e mendon se arma është me dalë me u shëtitë por jo, është leje për rekreacion, për sport. Lejohet vetëm në shtëpi dhe në shenjtari dhe jo me dalë më bë lëvizje tjera, është afati I lëvizjes prej momentit që happen poligonet në 10 në mëngjes deri në ora 22:00 në mbrëmje por jo në relacione të tjera me u sillë me armë. Nuk lejohet të mbahet në brez, ka disa rregulla ku lejohet, dmth në makinë ose në qantë por jo municioni afër. Të na edhe me leje kudo që blihen janë gjasat për me u keqpërdor shumë të vogla sepse ai që merr leje, e din cka përmbanë, e din ligjin”, tha ai./21Media

Back to top button