​Vuçiq: Dy shtete parandaluan të përfundojë puna e hyrjes së Kosovës në KiE

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se të premten, para vendimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për anëtarësimin e shtetit të Kosovës në këtë organizatë, “disa u përpoqën për të përfunduar gjithçka, por kjo u parandalua falë ndërhyrjes së dy shteteve”.

“Ata u përpoqën dje para vendimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për të përfunduar gjithçka, dhe falë ndërhyrjes së dy vendeve, kjo nuk ndodhi”, tha Vuçiq para mediave në Zemun.

Vuçiq tha se nesër udhëton në Paris, ku do të takohet me homologun Emmanuel Macron, më 8 prill.

“Na presin ditë të vështira, duke përfshirë vendimet për anëtarësimin e Prishtinës në Këshillin e Evropës, OKB-në, presionin intensiv nga rajoni, Evropa dhe bota, por vendi duhet të zhvillohet dhe të ecë përpara. Kjo nuk është çështje partiake. kotësitë dhe dallimet, por nëse mund të bëjmë diçka për vendin tonë”, tha ai.

Ndryshe, Serbia dje ka formuar grupin punues që do të merret me koordinimin e aktiviteteve të organeve shtetërore për të parandaluar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, sot nuk ka dashur të komentojë nëse veprime të tilla të Serbisë përbëjnë shkelje të marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve të arritur një vit më parë.

Deputetja britanike Alicia Kearns ka kritikuar BE-në se po demonstron zero ekuilibër ndaj Serbisë. “Vazhdimisht, BE nuk ka qasje të balancuar kur bëhet fjalë për Serbinë,” tha Kearns.

Asambleja Parlamentare pritet të votojë për anëtarësimin e Kosovës në prill, dhe nëse ajo jep “dritën jeshile”, atëherë fjalën përfundimtare duhet ta jep Këshilli i Ministrave të Këshillit të Evropës në maj, pasi më herët Komiteti për Politikë dhe Demokraci i kësaj organizate miratoi raportin e raportueses Dora Bakoyannis, e cila rekomandoi se Kosova ka plotësuar kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e KiE.

Back to top button