Vuçiq: Nuk e nënshkruaj kapitullimin e Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se Përfaqësuesi i Posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak ndodhet në Prishtinë dhe se, sipas tij, është e vështirë të arrihet ndonjë përparim lidhur me implementimin e Marrveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Vuçiq ka thënë se është i sigurt që kryeministri i Kosovës është i vendosur që të mos e formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Kurti është i vendosur të mos e formojë Asociacionin. Liberalizimi i vizave është një inkurajim për Kurtin. Lajçak do të mbërrijë në Beograd të hënën, ne do të përpiqemi të gjejmë një lloj rruge drejt progresit për normalizimin e marrëdhënieve”, tha Vuçiq për televizionin “Happy”.
“Ne do të kemi një takim 30-minutësh dhe më pas do të kaloj de facto dy ditë duke punuar me të dhe duke u përpjekur të gjej një lloj rruge përpara për normalizimin e marrëdhënieve”, tha tutje Vuçiq.
Vuçiq tha se “për shumë arsye, ne nuk kemi asgjë kundër heqjes së vizave [për Kosovën] dhe duhet t’i gëzohemi atij vendimi”.
“Por, momenti në të cilin ndodh kjo tregon se ata jo vetëm që nuk janë të gatshëm të ushtrojnë presion, por është duke e inkurajuar Kurtin që të vazhdojë politikën e mospërmbushjes së obligimeve të veta”, tha Vuçiq.
Vuçiq tha gjithashtu se populli i Serbisë duhet ta dijë se askush nga lidershipi i Serbisë nuk ka shkruar ndonjë plan apo propozim, por Gjermania dhe Franca.
“Nuk më shkon mendja të nënshkruaj kapitullimin e Serbisë. Nuk do të ketë kapitullim, dorëzim, u thashë të gjithëve se Serbia nuk do të pajtohet me hyrjen e Kosovës në OKB, as nuk do ta njohim pavarësinë e saj në një mënyrë apo tjetër. Ju përmbushni detyrimin, formoni Asociacionin dhe unë ju them që nuk do ta bëjë. Ne jemi të gatshëm të bëjmë kompromise të shumta, por shqiptarët nuk do të bëjnë asgjë”, tha Vuçiq.

Back to top button