Vuçiq thotë se mund të ketë “një shtyrje të shkurtër” të takimit në Uashington

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur për mundësinë e shtyrjes së bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë të planifikuata të mbahen më 2 shtator në Uashington të Shteteve të Bashkuara.

Ai tha se ende asgjë nuk është vendosur, por ka sinjale se mund të ketë një shtyrje “prej dy ditësh, ose diçka të tillë”.

Ai u tha gazetarëve se nuk e di se cilat tema do t’i paraqesin nikoqirët e takimit, përveç temave të ekonomisë, për të cilat tashmë janë informuar.

“Unë do të doja që të ishin vetëm tema ekonomike, nuk e di nëse do të paraqiten tema tjera, pasi për dialogun politik dhe çështjen e statusit është përgjegjës Bashkimi Evropian, por nuk e përjashtojmë mundësinë e ndonjë befasie”, ka thënë Vuçiq në Batajnicë, ku ai mori pjesë në një ushtrim të njësive të Forcave Ajrore të Ushtrisë Serbe, raporton rel.

Megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk ka informacione nëse takimi do të shtyhet. Xhavit Beqiri, këshilltar për media i kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, për portalin rtv21.tv ka thënë se “ende nuk ka ndonjë njoftim zyrtar për mundësinë e shtyrjes së takimit”./21Media

Back to top button