VV i kërkon Hotit të raportojë në Kuvend për marrëveshjen e 4 shtatorit

 

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar se kanë dërguar thirrje në Kuvendin e Kosovës që kryeministri i vendit, Avdullah Hoti të raportojë për marrëveshjen e 4 shtatorit të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Washington.

Këtë thirrje e ka dërguar nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci që është nga ky subjekt politik.

Sipas VV-së, ajo çfarë u quajt normalizim ekonomik, “më shumë është normalizim i Serbisë brenda Kosovës. Nga përfshirja e Serbisë në shfrytëzimin e përbashkët të resurseve shtetërore të Kosovës, devijimi i linjës hekurudhore nga veriu i Mitrovicës në drejtim të Merdares sipas kërkesës së Serbisë, njohja e të drejtave të Serbisë mbi liqenin e Ujmanit e nxitja e ndërhyrjes në sovranitetin energjetik të Kosovës, prodhimin, tregun dhe sigurinë”.

VV-ja ka thënë se vazhdimi i dialogut sot në Bruksel me hapjen e temave të reja, siç është asociacioni i komunave me shumicë serbe, janë goditje të shumanshme që po i bëhen rendit kushtetues dhe sovranitetit shtetëror sa në njërin takim, sa në tjetrin, gjithnjë sipas kërkesave të Serbisë. /21Media

Back to top button