Witek në takim me Konjufcën tregoi se Polonia ka miratuar pesë rezoluta mbi agresionin rus
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka zhvilluar sot një takim virtual me kryetaren e Parlamentit të Polonisë (Marshall of the Sejm), Elżbieta Witek.
Gjatë bashkëbisedimit virtual u trajtuan tema të ndryshme të rëndësishme për Kosovën, rajonin, Poloninë, Evropën dhe botën.
Sa i përket agresionit të Rusisë në Ukrainë, Witek e njoftoi Konjufcën për sfidat nëpër të cilat Polonia është duke kaluar. Ajo theksoi se shteti i saj tashmë ka pranuar më shumë se tre milionë refugjatë nga Ukraina, si dhe njoftoi që Parlamenti i Polonisë deri më tani ka miratuar pesë rezoluta mbi agresionin rus dhe Ukrainën.
Poashtu Witek kërkoi të ketë sa më shumë solidaritet, bashkëpunim dhe harmonizim të të gjitha shteteve përkitazi me sanksionet kundër këtij agresioni.
Ndërsa, Konjufca e njoftoi homologen e tij polake lidhur me miratimin e rezolutës së Kuvendit për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës, harmonizimin e politikës së jashtme të Kosovës me atë të BE-së dhe SHBA-së mbi sanksionet kundër Rusisë. Po ashtu e njoftoi se Kosova ka marrë vendim të akomodojë 5000 refugjatë dhe 20 gazetarë ukrainas.
Tutje, Konjufca shprehu mirënjohje për kontributin e Polonisë dhënë Kosovës, duke theksuar se Polonia është shtet mik dhe mbështetëse e Kosovës gjatë rrugëtimit të shtetndërtimit të saj./21Media