Yllka Gashi në listën e ngushtë të nominimeve për aktoren më të mirë në ‘BAFTA’ sipas Variety

Mediumi amerikan “Variety” i cili bën parashikimet e nominimeve për çmimet më prestigjioze në botë, ka parashikuar Yllka Gashin në listën e ngushtë të nominimive për çmimet ‘BAFTA’.
Kjo u bë e ditur nga vet Yllka përmes Facebook.
Në këtë kategori hyjnë edhe Nicole Kidman, Frances McDormanc, Olivia Colman, Penelope Cruz, Jessica Chastain, Kristen Steëart.
“Mediumi i mirënjohur amerikan “Variety” që bën parashikimet e nominimeve për çmimet më prestigjioze në botë, paraqet edhe emrin tim për mundësinë e futjes në listën e gjatë të nominimeve për çmimet BAFTA në Britani të Madhe, në mesin e plot aktoreve me renome ndërkombëtare si Nicole Kidman, Frances McDormand, Olivia Colman, Penelope Cruz, Jessica Chastain, Kristen Steëart etj”, është shprehur Yllka.
Tutje, Gashi ka thënë se është nder për të, të jetë pjesë e kësaj liste.
“Ta shoh emrin tim, të filmit “Zgjoi”, të Blerta Bashollit e produksionit Ikonë, e emrin e Kosovës në këso listash, më duhet ta pranoj që zemra më bëhet mal nga gëzimi e krenaria, por edhe nga mirënjohja e falenderimi që e kam për ata me të cilët kam pasur fatin e mirë ta bëjmë këtë film.  Ky është nder shumë i veçantë edhe nëse mbetet vetëm parashikim medial! Me ose pa nominim – sepse as nuk dua të mendoj shumë e të preokupohem me diçka që nuk është në dorën time e nuk varet nga unë – fat të madh e nder jetësor e konsideroj mundësinë që e kam pasur ta portretizoj një grua të jashtëzakonshme siç është zonja Fahrije Hoti e të punoj me një regjisore të mrekullueshme e tepër punëtore që më inspiron çdo ditë si Blerta Basholli dhe me produksionin Ikonë që janë shumë meritor për çdo sukses që e kemi pasur deri tash”, ka thënë tutje aktorja.
Kujtojmë se, “Zgjoi” ka fituar shumë çmime ndërkombëtare gjatë gjithë kësaj kohe, duke e ndryshuar tërësisht rrugën e kinematografisë shqiptare.
Propozimet zyrtare të BAFTA-s do të njoftohen më 3 shkurt. Ndërkohë mbrëmja e madhe e ndarjes së çmimeve është planifikuar të mbahet më 13 mars./21Media

Back to top button