Ymeri: Nuk mund të ketë fillim të ri, me koalicionet e së vjetrës

Ymeri premtoi se koha do të ndryshojë me Albin Kurtin kryeministër

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri në tubimin përmbyllës, që është duke u mbajtur në Prishtinë, ka theksuar se sot po e festojmë fitoren, ndërsa ai premtoi se koha do të ndryshojë me Albin Kurtin kryeministër.

Para masës së madhe të qytetarëve dhe përkrahësve të Vetëvendosjes të mbledhur në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, Ymeri tha se të gjithë që janë mbledh këtu, të gjithë qytetarët e Kosovës “duan të jemi bazamenti i drejtësisë dhe barazisë, të cilën ky popull i Kosovës e do aq shumë”.

Ymeri tha se nuk mund të ketë fillim të ri, me koalicionet e së vjetrës.

“Qytetarë të Kosovës, Prishtinë dhe qyteteve tjera, bashkatdhetarë që keni ardhur këtu, sot është e qartë se ballafaqimin e kemi të gjithë bashkë, për ballë të atyre që na e vonuan rrugën, rrugën e Kosovës Republikë”, tha Ymeri dhe shtoi se “Klani Pronto” e shfrytëzojë pasurinë e Kosovës për t’u pasuruar dhunshëm, “këta do duhej të turpëroheshin, por këta nuk kanë turp”.

Ymeri tha se fitimi i vjetër nuk ngopet me fitimin e ri, siç nuk ngopet deti me ujë.

“Gjatë këtyre viteve të fundit, tellallët dhe zëdhënësit e pushtetit më shumë e sulmonin Lëvizjen Vetëvendosje, se sa Serbinë e Vuçiqin. Ne sot po korrim suksese dhe fitore, për kundër vështirësive të jashtëzakonshme që na ka vënë ky pushtet”, tha Ymeri dhe paralajmëroi se koha do të ndryshojë me Albin Kurtin Kryeministër.

Back to top button