Zelensky i bindur: 2023-ta, vit i fitores së Ukrainës

Në njëvjetorin e fillimit të luftës Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka thënë se gjatë vitit 2023 ukrainasit do të bëjnë përpjekje të mëdha për të arritur te fitorja kundër Rusisë.

“Nuk do të pushojmë kurrë derisa vrasësit rusë të marrin dënimin e merituar. Dënim nga Tribunali Ndërkombëtar. Gjykim nga Zoti për luftëtarët tanë. Ose krejt së bashku. Vendimi është i qartë, para nëntë vjetësh fqinji ynë u bë agresor. Një vit më parë, agresori u bë ekzekutues, plaçkitës dhe terrorist. Nuk dyshojmë se do të fitojmë”, ka thënë Zelensky.

Ai ka thënë se ukrainasit e kanë treguar veten si të pamposhtur në vitin e mbushur me dhimbje, pikëllim, besim dhe unitet.

“Besimi ynë është rritur. Morali është forcuar. I kemi rezistuar ditës së parë të luftës. Nuk e dinim se çfarë do të ndodhë të nesërmen, por e kuptuam se ia vlen të luftosh për çdo të nesërme. Pastaj luftuam çdo ditë. Na kërcënuan se nuk do të ekzistonim pas 72 orësh. Por i mbijetuam ditës së katërt dhe të pestë. Sot po qëndrojmë para jush, fiks një vit pas luftës. Ende e dimë: ia vlen të luftosh për çdo të nesërme”, është shprehur ai.

Back to top button