​Zelensky: Situata në Bakhmut po përkeqësohet

Situata në qytetin Bakhmut, në vijën e frontit lindor, po bëhet “gjithnjë e më e vështirë”, ka thënë presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Forcat ruse janë përpjekur të marrin qytetin për më shumë se gjashtë muaj.
“Armiku po shkatërron vazhdimisht gjithçka që mund të përdoret për të mbrojtur pozicionet tona”, tha Zelensky, shkruan BBC.
Vërejtjet e liderit ukrainas erdhën pasi sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen paralajmëroi Kinën kundër armatimit të Rusisë gjatë një vizite në Kiev të hënën, përcjell KosovaPress.
Disa nga luftimet më të ashpra që kanë ndodhur që kur Rusia pushtoi Ukrainën pak më shumë se një vit më parë, janë zhvilluar në Bakhmut, në rajonin e Donetskut të Ukrainës, një pjesë e të cilit është nën kontrollin e Rusisë dhe aleatëve të saj separatistë.
Kohët e fundit përpjekjet e forcave ruse për të kapur qytetin industrial janë intensifikuar, me trupat e tij duke fituar terren.
Udhëheqësi separatist i Republikës së vetëshpallur Popullore të Donetskut, Denis Pushilin, tha se “praktikisht të gjitha rrugët” për në qytet ishin “nën kontrollin e zjarrit [rus]”.
Dhe komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, gjenerali Oleksandr Syrskyi, tha se situata rreth Bakhmut ishte “jashtëzakonisht e tensionuar”.
“Megjithë humbjet e konsiderueshme, armiku hodhi njësitë më të përgatitura të sulmit të Wagner, të cilët po përpiqen të thyejnë mbrojtjen e trupave tona dhe të rrethojnë qytetin,” tha gjenerali Syrskyi.
Duke folur për situatën në fjalimin e tij të natës, presidenti Zelensky bëri thirrje edhe një herë që të dërgohen avionë luftarakë modernë në mënyrë që i gjithë territori të mbrohet nga terrori rus.

Back to top button