Zemaj: Do të bëjmë realitet sigurimet shëndetësore

 

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se do të bëhen realitet sigurimet shëndetësore.

Ai ka thënë se janë të përkushtuar dhe se po angazhohen që sa më parë të plotësohet të gjitha parakushtet, në mënyrë që Fondi i Sigurimeve Shëndetësore të jetë në funksion të plotë dhe t’u ofrohet qytetarëve sigurime shëndetësore dhe mburojë financiare.

“Do të bëjmë realitet sigurimet shëndetësore. Jemi të përkushtuar maksimalisht dhe po angazhohem që sa më parë të plotësohen të gjitha parakushtet, në mënyrë që Fondi i Sigurimeve Shëndetësore të jetë në funksion të plotë dhe t’u ofrohet qytetarëve sigurime shëndetësore dhe mburojë financiare”, është shprehur Zemaj.

Ai ka folur edhe për miratimin e emërimit të Bordit Drejtues të Sigurimeve Shëndetësore.

“Bazuar në propozimin tim, sot Qeveria e Republikës së Kosovës e miratoi emërimin Bordit Drejtues të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, si organi më i lartë vendimmarrës i fondit në pajtim me Ligjin për Sigurimin Shëndetësor. Po ashtu grupi punues ka filluar punën për hartimin e ligjit për sigurimet shëndetësore. Do të insistoj që të punohet pa humbur kohë dhe me një dinamikë të shpejt për draftimin e tij”, ka shkruar Zemaj në “Facebook”.

Tutje ministri ka thënë se Fondi i Sigurimeve Shëndetësore është institucion i pavarur publik me përgjegjësi dhe autorizime të veçanta që, në emër të të siguruarve, të administrojë me mjetet financiare për ofrimin e shërbimeve të kujdesit shëndetësor nga institucionet shëndetësore në të gjitha format e pronësisë./21Media

Back to top button