Zëvendëskryeministri vizitoi bizneset
Kelmendi ofroi përkrahjen për bizneset prodhuese
Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Ramiz Kelmendi vizitoi komunën e Hanit të Elezit, ku u prit nga kryetari, Rufki Suma me bashkëpunëtorë, me të cilët ka biseduar për shumë çështje, por në veçanti për çështjen e pronave të APJ-së, të cilat tani janë bërë pronë shtetërore.
Kelmendi shprehu kënaqësinë që po viziton këtë komunë, e cila udhëhiqet nga një kryetar i pavarur.
Pas takimit me kryetarin e Komunës së Hanit të Elezit, zëvendëskryeministri Kelmendi u takua edhe me përfaqësues të bizneseve të kësaj komune, me të cilët bisedoi për çështjen e furnizimit me energji elektrike, fiskalizimin e bizneseve, si dhe për Pakon Fiskale 2, e cila shumë shpejt do të kalojë në Qeverinë e Kosovës dhe do të jetë një rilindje për bizneset në përgjithësi dhe ekonominë prodhuese në veçanti.
Ndërkaq, kryetari i Komunës së Hanit të Elezit, Rufki Suma, njoftoi zëvendëskryeministrin për të gjitha punët dhe problemet me të cilat po ballafaqohet kjo komunë, si dhe për aktivitetet të cilat i ka ndërmarrë kohëve të fundit.
Gjatë kësaj vizite, zëvendëskryeministri Kelmendi vizitoi Fabrikën për prodhimin e çimentos dhe Fabrikën e Stiroporit, në të cilat u njoftua nga afër me punët dhe aktivitetet që po zhvillojnë këto kompani.
Zëvendëskryeministri Kelmendi me këtë rast shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që të ofrojë përkrahje për të gjitha bizneset prodhuese.