Zgjedhjet lokale betejë mes dy koalicioneve? VMRO-DPMNE paralajmëron koalicion të mundshëm me ASh-AAA

Pas publikimit të koalicionit parazgjedhor LSDM-BDI, paralajmërim për bashkëpunim të mundshëm ka edhe nga VMRO-DPMNE-Aleanca-Alternativa. Edhe pse ende nuk ka asgjë zyrtare nga të dyja anët, me shumë gjasa ata së shpejti do të ulen në negociata për bashkëpunim, koalicion në zgjedhjet lokale.
“Te ne ekziston disponim për bisedime me Aleancën dhe Alternativën për bashkëpunim, koalicion para rrethit të parë dhe gjithashtu edhe bashkëpunim, koalicion mes dy rretheve zgjedhore. Kemi sinjale nga këto dy parti se ky disponim ekziston edhe te ata dhe në bazë të programeve dhe kandidatëve të mirë në më shumë komuna do të mund të harmonizojmë këto bashkëpunime të ardhshme. Nuk kam datë konkrete kur do të ndodh ndonjë takim i tillë por komunikimi është i rregullt edhe në nivel të Kuvendit edhe jashtë Kuvendit”, tha Antonio Milloshovski nga VMRO-DPMNE-ja.
Nga koalicioni Aleanca dhe Alternativa thanë se ende është herët që të tregohet nëse do të ketë dalje të përbashkët.
“Ne ende nuk kemi qëndrim të përbashkët si Aleancë/Alternativë, andaj është herët për të folur. Disa nga koalicioni jonë janë “PËR” disa janë “Kundër” dhe për shkak të kësaj ende nuk kemi sjellë vendim nëse do të negociohet me VMRO-DPMNE-në për dalje të përbashkët në zgjedhjet lokale. Sipas të gjitha gjasa ditëve në vijim do të ulemi për të biseduar dhe për të sjellë vendim nëse do të shkojmë në koalicion parazgjedhor ose me çfarëdolloj bashkëpunimi për zgjedhjet në tetor”, thanë nga ASh-AAA-ja.
Nëse VMRO-DPMNE-ja dhe Aleanca/Alternativë merren vesh për bashkëpunim, me këtë në fakt do të hapet një front i dy koalicioneve, të cilat synojnë Shkupin dhe Tetovën. Beteja kryesore e bllokut maqedonas do të jetë për ta marrë Qytetin e Shkupit, por edhe komunat e Shkupit, ndërsa blloku shqiptar synon Tetovën, shkruan TV21./21Media

Back to top button