Zgjohu Kosovë! Zgjohu nana ime e dashur

Ali Podrimja ishte poet dhe autor shumë i njohur. Kishte lindur në Gjakovë ku edhe kishte kaluar rininë.
Podrimja sudimet i kishte vazhduar në Universitetin e Prishtinës për gjuhë dhe letërsi shqipe. Më 1957 kishte botuar poezinë e parë në revistën “Jeta e Re”. Ishin vitet kur shqiptarët në Kosovë ishin duke përjetuar njërin nga terroret me të egra të pushtuesit serb, kohën e aksionit famëkeq për mbledhjen e armëve dhe të shpërnguljeve më dramatike të përmasave tragjike për Kosovën dhe shqiptarët.
Poeti ishte rritur në këto kushte, në atë atmosfere agonie, që e kishte mbërthyer Kosovën. Qyteti i Gjakovës, ku kishte lindur dhe ishte shkolluar, qytet me traditë të pasur patriotike, ishte më i godituri nga kjo vërshimë policore serbe.
Disa nga veprat e tij më të njohura të Podrimjes janë: ”Shamijat e përshëndetjeve” (1963), ”Dhimbë e bukur ”(1967), ”Sampo ”(1969), ”Torzo” (1971),” Lum, lumi”, (1982).
Më datën 18 korrik 2012, Ali Podrimja ishte zhdukur pas një festivali të poezisë në Francë. Pas kërkimeve të parreshtura të autoriteteve franceze, më 21 korrik 2012, shkrimtari ishte gjetur i vdekur në rrethana ende të panjohura./21Media
Poezi Ali Podrimja
Zgjohu Kosovë! Zgjohu nana ime e dashur,
balli dhe emni im i shkelur,
zgjohu,oj! A po e ndien vajin tim?
A po sheh si ti kam ngulur sytë
mu në zemër, mu në shpirt,
si t`i kam hedhë duart rreth belit
me të përqafu unë, ashti yt?
Zgjohu,Kosovë!
Nga degët e mia të thyera kush po dahet,
këtë vatër kush po e le?
Ç’janë këto gjurmë gjaku që po shtohen
nëpër fytyrën tënde,
këto varre e murana që po sillen vërdallë
rreth shtëpisë sime?…
Zgjohu, Kosovë! Zgjohu, nëna ime e dashur,
balli dhe emri im i shkelur,
Zgjohu, Kosovë!…
Sonte vetëm mbeta e
në derë të oborrit askush s’po më troket,
askush më, thua vdekur jam e harruar
Në këto troje e suka gjaku.
Thua më është shkrimbur hisja
e mbyllur dera e konakut…..
Zgjohu, Kosovë, flakë e hershme e ashtit tim
t`pëlcitur.
Bota në ty le të kallet!.

Back to top button