“Zgjoi” edhe para përfaqësuesve institucional grekë

Në kinemanë Trianon, të mbushur me audiencë dhe në praninë e disa përfaqësueseve institucional grek dhe diplomatëve ndërkombëtar, filmi “Zgjoi” u shfaq për herë të parë në Greqi.
Me bashkëpunimin e Qendrës Kinematografike të Kosovës dhe Qendrës së Filmit Grek, u mbajt edhe një panel diskutimi pas filmit ku morën pjesë regjisorja Blerta Basholli, aktorja Aurita Agushi, drejtuesi i QKK Lum Çitaku, dhe anëtarja e Këshillit Drejtues të Qendrës së Filmit Grek, Maria Kallimani.
Përveç diskutimeve mbi temën e filmit, gjithashtu u fol për mundësinë e rritjes së bashkëpunimit në fushën e filmit mes Kosovës dhe Greqisë.
“Dy Qendrat Kinematografike ishin shumë pozitivë për bashkëpunim në bashkëprodhim të filmave në të ardhmen. Gjithashtu, ekipi i filmit dhe këshilltarja për Kulturë e Ministrit Çeku, Rozafa Imami, vizituan Zyrën e Interesave të Kosovës në Athinë dhe diskutuan mbi agjendën e aktiviteteve kulturore të radhës në Greqi.”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.
Tri herë fituesi i Festivalit të Sundance ‘Zgjoi’, u propozua nga Kosova si kandidati i saj zyrtar për garën e Oscars. Gjithë ky rrugëtim u mbështet fuqishëm nga të gjithë shqiptarët. Ethet për ekipën e filmit u shtuan më 21 dhjetor, kur u bë e ditur lista e ngushtë e filmave kandidat për nominim për filmin më të mirë ndërkombëtar në OSCARS. Në mesin 15 filmave në këtë listë, kishte filma nga regjisor të shumtë të dëshmuar ndërkombëtarisht. Aty ishte edhe “Zgjoi” që priste dritën e gjelbër nga anëtarët e Akademisë Amerikane të Filmit, mirëpo ëndrra e filmit “Zgjoi” për Oscar përfundoi./21Media

Back to top button