Rasti Dehari – Pezullohen nga puna 4 zyrtarë të Institutit të Mjekësisë Ligjore

Ministria e Drejtësisë ka bërë të ditur se janë pezulluar nga puna katër zyrtarë në Institutin e Mjekësisë Ligjore, për shkak të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit në këtë institut.
Të pezulluarit, sipas kësaj ministrie janë Nardi Sheqergjiu, Toksikolog Mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore, Flutura Goga, Udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë, Anila Lakna, Teknike e Laboratorit të Toksikologjisë, si dhe Ilirjana Shala, Kimiste.
Tutje, Ministria e Drejtësisë bën të ditur se ky vendim do të hyjë në fuqi që nga sot.
“Pezullohen nga puna katër zyrtarë në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Pas pranimit të informacionit të zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, në Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisioni Disiplinor i Institutit për Mjekësi Ligjore/ Ministria e Drejtësisë, mori vendim për pezullim nga puna të zyrtarëve: Nardi Sheqergjiu, Toksikolog Mjekoligjor në Institutin për Mjekësi Ligjore, Flutura Goga, Udhëheqëse e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, Anila Lakna, Teknike e Laboratorit të Toksikologjisë në Institutin për Mjekësi Ligjore, Ilirjana Shala, Kimiste në Institutin për Mjekësi Ligjore. Vendimi ka hyrë në fuqi me 8.12.2022”, thuhet në njoftimin e MD-së.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se të mërkurën në mbrëmje kanë kuptuar se janë zhdukur mostrat e Astrit Deharit nga Laboratori i toksikologjisë.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Dehari, u gjet i vdekur në qelinë e burgut në Prizren më 5 nëntor të vitit 2016, ku po mbahej i paraburgosur nën dyshimin se kishte kryer sulm ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, bashkë me disa aktivistë të tjerë./21Media

Back to top button