Krasniqi takon Hovenier, flasin për sigurinë në veri dhe procesin zgjedhor

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka pritur sot në takim ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, me të cilin ka biseduar mbi zhvillimet e fundit politike në Kosovë, më theks të veçantë gjendjen e sigurisë në pjesën veriore të vendit dhe procesin zgjedhor në katër komunat atje.
Krasniqi me këtë rast informoi ambasadorin Hovenier për qëndrimin e PDK-së rreth këtij procesi.
“Ne i jemi përgjigjur Dekretit të Presidentes për këtë proces zgjedhor dhe në respektim të afateve dhe ligjeve kemi propozuar kandidatët tanë për kryetarë dhe asamblistë në katër komunat në veri”, ka shkruar Krasniqi në një postim në “Facebook”.
Krasniqi ka thënë se PDK-ja pret nga Qeveria dhe institucionet e Kosovës që të sigurojnë kushtet e favorshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, pasi që garantimi i sigurisë për secilin qytetar të vendit tonë duhet të jetë prioritet kryesor.
Sot edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, është takuar me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier./21Media

Back to top button