Zjarri në IML, Krasniqi: Dyshimet janë të mëdha, Instituti u kthye në instrument politik

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi ka reaguar pas djegies së zyrave në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Ai ka shkruar se për të dytën herë brenda një viti, Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë po dëmtohet nga zjarre të dyshimta.

“Pas zhdukjes së mostrave të rastit të Astrit Deharit në dhjetor të vitit të kaluar dhe zjarrit të marsit të këtij viti, sot flaka kaploi disa nga zyrat kryesore të këtij Instituti. Nga të gjitha organet kompetente, kërkoj që urgjentisht të hedhin dritë mbi këtë çështje. Ndërkaq, Ministria e Drejtësisë, e cila menaxhon me këtë Institut, duhet të dalë urgjentisht me informata konkrete rreth këtij rasti”, ka shkruar Krasniqi.

Sipas Krasniqit, mungesa e mbrojtjes së Institutit të Mjekësisë Ligjore, edhe pas dështimeve të kaluara, nuk mund të quhet më as papërgjegjësi dhe as rastësi.

“Tashmë, dyshimet janë edhe më të mëdha se, për qëllime të caktuara të pushtetit aktual, ky Institut është rikthyer në cak dhe në instrument politik. Dikush duhet të jap përgjegjësi”, ka shkruar ai.

“Çfarë e shkaktoi zjarrin? Çfarë u dogj dhe cilat janë dëmet? A janë dëmtuar prova dhe mostra të tjera, të cilat do të dëmtojnë hetimin e ndonjë rasti? Si është e mundur që edhe pas zhdukjes së mostrave të rastit Dehari, mbikqyrja dhe niveli i sigurisë në këtë Institut të mbeten kaq të ulëta?”, pyet Krasniqi.

Sot rreth orës 08:00 në hapësirat e IML-së ka filluar një zjarr që ka përfshirë disa nga zyret e katit të dytë të objektit. Zjarri është lokalizuar dhe për momentin nuk dihen shkaqet. Nuk raportohet për të lënduar.

Objekti i IML-së ishte përfshirë nga flakët edhe në fund të marsit. Atë kohë, dyshohej se shkaktar ishte defekti në instalimin elektrik./21Media  

Back to top button