ZPS-ja parashtron aktakuzën e ndryshuar ndaj Bahtijarit e Januzit

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar në Dhomat e Specializuara ndaj Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi.
Në njoftimin e së hënës, Gjykata Speciale njoftoi se në ndryshim është qartësuar dhe saktësuar çështja dhe “nuk është e padrejtë ose në mospërputhje me të drejtat e të akuzuarve”.
“Në pajtim me vendimin e Gjykatësit të Procedurës Paraprake më 8 shkurt, ZPS-ja dorëzoi versionin e ndryshuar të aktakuzës fillestare kundër Januzit dhe Bahtijarit. Në vendim, Gjykatësi i Procedurës Paraprake erdhi në përfundim se aktakuza e ndryshuar, jo vetëm që korrigjon mbiemrin e Bahtijarit po gjithashtu përmirëson qartësinë dhe saktësinë e çështjes dhe nuk është e padrejtë apo në mospërputhje me të drejtat e të akuzuarve. Megjithatë, ju lutemi të keni parasysh se ZPS-ja ende nuk e ka dorëzuar aktakuzën e përbashkët në këtë çështje (e cila gjithashtu do të përfshijë H. Shalën), në pajtim me vendimin e njëjtë të Gjykatësit të Procedurës Paraprake”, thuhet në njoftim.
Ismet Bahtjari dhe Sabit Januzi janë deklaruar të pafajshëm para Dhomave të Specializuara.
Sipas aktakuzës ata bashkë me persona të tjerë që nuk identifikohen në versionin publik të aktakuzës, kanë kryer veprime siç është presioni ndaj dëshmitarit që të tërheqë dëshminë e tij duke përfshirë kontaktin me thirrje telefonike, mesazhe dhe duke i shkuar në shtëpi.