Braathu tha se roli i OSBE-së në këtë proces zgjedhor është që të sigurojë kushte

Braathu tha se roli i OSBE-së në këtë proces zgjedhor është që të sigurojë kushte

Shefi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, ka thënë se procesi zgjedhor është duke shkuar mire dhe pa problem jo vetëm në veri të Kosovës, por edhe në jug.

Ai ka vizituar disa qendra të votimit në veri.Ndryshe, procesi i votimit në komunat veriore të Kosovës ka filluar qetë.

Fillimi i procesit nuk ka shënuar asnjë incident, përveç që në qendrën e votimit në shkollën e mesme teknike “Mihajlo Petroviq – Alas”, janë pare aktivistë të Listës Serbe në afërsi të vendvotimeve, por gjithçka ka shkuar në rregull, pasi që Policia e Kosovës është pranë secilit vendvotim dhe nuk ka lejuar që ketë pengesa.

Ndryshe, në 44 qendra votimi që janë hapur në komunat veriore të Kosovës, 7 në veri të Mitrovicës, 7 në Zveçan, 12 në Zubin Potok dhe 18 qendra të votimit në Leposaviq.

Të drejtë vote kanë 22.630 zgjedhës.Zgjedhjet në veri monitorohen nga OSBE-ja.

Në veri të Mitrovicës, votimi ka filluar saktësisht në ora 7:00. Në 7 qendra votimi ndodhen 28 vendvotime, ndërsa në Zveçan dhe në Zubin Potok janë hapur gjithsej 27 vendvotime.

Në Leposaviq, ku gjatë fushatës parazgjedhore janë shënuar incidente të shumta, disa nga komisionerët e subjekteve politike nuk kanë ardhur me kohë.

Kështu medieve serbe u ka thënë Milosav Markoviq, kryetar i Këshillit Komunal për Leposaviq.Sipas tij, në mëngjes ka pasur disa problem teknike dhe informacione për parregullsi.

Ai ka sqaruar se vendvotimet janë hapur me kohës dhe se procesi i votimi po rrjedhë normalisht.

“Përsëris, disa gjëra teknike në kuptimin që dikush nuk ka ardhur, janë krejtësisht normale. Por, tani për tani gjithçka është në rregull”, ka thënë ai.

Në qendrën e votimit në shkollën teknike “Mihajlo Petroviq – Alas” ka votuar kryetari i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiq, i cili ka shfaqur shpresën se serbët do të votojnë për Listën Serbe.

Ai madje ka apeluar tek qytetarët që të votojnë për Listën Serbe, duke thyer në këtë mënyrë heshtjen zgjedhore.

Qetë ka filluar procesi i votimi edhe në jug të Mitrovicës. Në qendrën më të madhe të votimit në shkollën fillore “Abdullah Shabani”, procesi ka rrjedhur pa asnjë problem.

Në KKZ-në e Mitrovicës i kanë thënë “Zërit” se të gjitha qendrat e votimit janë hapur me kohë. Në orët e para, dalja e qytetarëve për të votuar është e vogël.

Ndërkaq, shefi i misionit të OSBE në Kosovë, Jan Braathu ka vizituar qendrën e votimit në shkollën fillore “Sveti Sava” në veri të Mitrovicës.

Ai ka konfirmuar se procesi zgjedhor në komunat veriore të Kosovës është duke shkuar mire, duke shfaqur shpresën se kështu do të jetë deri në përmbyllje të vendvotimeve.

“Sipas informacioneve që kemi, procesi është duke shkuar mire dhe besoj se kështu do të jetë deri në fund. Absolutisht besoj se kështu do të vazhdojë deri në fund të ditës në të gjitha vendvotimet në komunat veriore të Kosovës shpresoj se do të shkojë mire. Situata është e mirë në gjithë Kosovën jo vetëm në komunat veriore. Deri më tani ka qenë mire”, është shprehur ai.

Shefi i OSBE, Jan Braathu tha se roli i OSBE-së në këtë proces zgjedhor është që të sigurojë kushte dhe këshilla teknike njerëzve nga Komisioni Qendror Zgjedhor dhe se misioni i OSBE-së në katër komunat veriore të Kosovës ka mbi 200 njerëz të angazhuar të cilët janë të shpërndarë në të gjitha vendvotimet.