Diplomacia e Kosovës zgjerohet edhe në kontinentin afrikan

Ambasadori Gashi i dorëzon letrat kredenciale presidentit senegalez

Diplomacia kosovare ka bërë edhe një shtrirje të re gjeografike, duke u bërë me përfaqësim dhe prezencë të përhershme diplomatike edhe në kontinentin afrikan.

Ambasadori i Kosovës, Ramadan Gash, i ka dorëzuar letrat kredenciale tek Presidenti i Shtetit të Senegalit, SH. T. Z., Macky Sall, duke u bërë Ambasadori i parë i akredituar dhe rezident i Kosovës në këtë shtet.

Sipas një komunikate për medie, në kuadër të kësaj ceremonie, Ambasadori Gashi ka falënderuar presidentin senegalez për pritjen në shtetin e tij, duke shprehur më pas përkushtimin dhe vullnetin e Institucioneve të Kosovës për thellimin dhe zgjerimin e e mëtejmë të marrëdhënieve në mes dy vendeve.

“Është privilegj që e përfaqësoj shtetin e Kosovës, në një vend me bukuri të jashtëzakonshme, por, para së gjithash, në vendin e paraardhësit Tuaj dhe themeluesit të shtetit të Senegalit, Presidentit, Léopold Sédar Senghor, me të cilin vendi i Juaj Z. President, por, edhe bota mburret me të. Personalisht, mburrem që kam pasur rastin ta takoj, në Bruksel, dy herë radhasi gjatë vitit 1988, për t’i folur që në atë kohë për Kosovën, e cila pësonte okupimin dhe terrorin e regjimit komunist jugosllav dhe serb të asaj kohe.”, ka thënë Ambasadori Gashi.

Në vazhdim të takimit, ambasadori Gashi, gjithashtu, e falënderoi presidentin Sall për gadishmërinë e Senegalit për njohjen e shtetit të Kosovës, që në ditët e para pas shpalljes së Pavarësisë.

Tutje, Ambasadori Gashi e ka njoftuar presidentin senegalez edhe mbi ecurinë e historikut të Kosovës, ndërkohë që është diskutuar edhe mbi mbarëvajtjen e procesit të njohjeve dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës, duke përfshirë procesin e anëtarësimit në Organizata Ndërkombëtare./21Media

Back to top button