Haradinaj: BE-ja nuk po iu përgjigjet ankesave të Prishtinës ndaj Beogradit

Haradinaj ka paralajmëruar Brukselin se duhet të marrë më seriozisht aspiratat e vendit për anëtarësim

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj në një intervistë për Financial Times ka folur për liberalizimin e vizave, anëtarësimin e Kosovës në BE, ushtrinë, taksën 100 përqind e shumë çështje tjera.

Për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, Haradinaj ka paralajmëruar Brukselin se duhet të marrë më seriozisht aspiratat e vendit për anëtarësim, në mënyrë që të shmang mos-stabilitetin e mëtejshëm të Ballkanit. Haradinaj në një intervistë për “Financial Times” ka fajësuar Serbinë nga e cila Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2018, për një ofensivë diplomatike që synon të dëmtojë shtetësinë e kontestuar të vendit të tij.

“Besojmë se Evropa na ka dhënë mundësinë, përkatësisht udhërrëfyesin për t`u bërë anëtarë të BE-së, dhe për këtë jemi falënderues”, ka thënë Haradinaj.

Ndër tjerash, Haradinaj ka thënë se udhëheqësit e BE-së nuk i janë përgjigjur në mënyrë adekuate ankesave të Prishtinës ndaj Beogradit.

Kryeministri Haradinaj ka shtuar se përderisa BE-ja vazhdon investimin e fondeve dhe personelit që të normalizoj situatën në Kosovë dhe në rajon, “të gjitha veprimet e Serbisë janë kundër interesave të BE-së për stabilizim të Ballkanit Perëndimor dhe në favor të interesave ruse që të vazhdojnë këtë situatë kaotike në rajonin tonë.”

Po ashtu, Haradinaj ka përmendur edhe tarifën prej 100 përqind ndaj mallrave serbe, dhe ka thënë se kjo taksë do të hiqet vetëm nëse Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës.

“Nuk e kemi bërë këtë nga arroganca – por nuk kemi pasur zgjidhje tjetër. Për një kohë të gjatë jemi përmbajtur nga vendosja e një mase të tillë por nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër. Taksa do të largohet pas normalizimit të plotë, e normalizimi i plotë nënkupton njohjen”, ka thënë ai për Financial Times.

Ndër tjerash, Haradinaj ka thënë se Serbisë po i lejohet të bëjë një fushatë armiqësore kundër Kosovës duke dëmtuar mundësitë e fqinjëve të saj që t’i bashkohen BE-së, ndërsa vet vazhdon me procesin e pranimit./21Media

Back to top button