Haradinaj: Është marre si e kemi lënë Trepçën tash e 20 vjet

Shënohet 30 vjetori i grevë së minatorëve

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, me rastin e shënimit të 30 -vjetorit të grevës së minatorëve, ka thënë se mënyra më e mirë për ta shpërblyer sakrificën e atëhershme të minatorëve, është kthimi i Trepçës në burim jete.

Ai është zotuar se nuk do të ndalen së punuari me secilin, qoftë pozitë apo opozitë, veri apo jug për rikthimin e kompanisë Trepça sipas ligjit të Kosovës.

“Meqenëse kanë shkuar tri dekada e ne nuk kemi mundur ende ta rikthejmë këtë burim në jetë të ekonomisë sonë, vendit tonë, atëherë është momenti i duhur të themi se duhet të na vijë marre se si e kemi lënë Trepçën kaq gjatë kështu, si e kemi lënë që 20-vjet pas çlirimit. Fakti se sot e kemi votuar statutin e Trepçës mund të na ngushëllojë, por nuk mjafton. Ne nuk e kemi regjistruar ende Trepçën si kompani në bazë të ligjit, duhet të regjistrohet, janë aksionarët që duhet t’i marrin përgjegjësitë, aksionarë janë edhe minatorët. Pjesa e Trepçës në jug sa më shpejt duhet t’i dorëzojë të gjitha materialet e nevojshme për regjistrim. Minatorëve mundem me gjysmë zëri me iu uruar, urime statutin e Trepçës dhe Trepçën, kompani në bazë të ligjit të Kosovës”, ka deklaruar ai.

Haradinaj ka thënë se Trepça në veri duhet ta përgatisë të gjithë materien e nevojshme për të gjithë punëtorët dhe në mënyrë që të drejtat e aksionarëve të zbatohen.

Para 30 vjetëve minatorët e Trepçës kishin filluar grevën e urisë për të mbrojtur Kosovën nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, duke shënuar kështu fillimin e zhbërjes së Jugosllavisë. Ishin rreth 1,300 minatorë që kishin hyrë në këtë grevë, për të mbrojtur ekzistencën e Kosovës dhe autonominë e saj. Greva historike e minatorëve të “Trepçës” e vitit 1989 qe shndërruar në rezistencë gjithë popullore demokratike e paqësore, kundër presioneve të Serbisë për ta ripushtuar Kosovën.

Me rastin e këtij përvjetori “Ndërmarrja Trepça” organizon manifestimin tashmë tradicional “Java e Minatorëve” që fillon sot dhe mbahet në minierën Stan Tërg në Mitrovicë nga ora 14:00./ 21Media 

Back to top button