Haradinaj foli për numrin e këshilltarëve: 400 i kanë punësuar paraardhësit tanë

“Del një lajm dhe thuhet që 400 zyrtarë kryeministria. Ata janë administratë e shtetit, nuk janë kryeministria”

Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka komentuar numrin e lartë të këshilltarëve dhe zyrtarëve në Qeverinë e Kosovës, duke thënë se prej se ka ardhur në pozitën e shefit të ekzekutivit nuk ka punësuar më shumë se 60 zyrtarë dhe këshilltarë.

Ai ka thënë se të dhënat e fundit në media për punësime të rreth 400 zyrtarëve në Zyrën e Kryeministrit janë nga Qeveria “Mustafa” dhe Qeveria “Thaçi”.

“Del një lajm dhe thuhet që 400 zyrtarë kryeministria. Ata janë administratë e shtetit, nuk janë kryeministria. I ka sjellë Isa, i ka sjellë Hashimi, i ka sjellë ai para meje. Me ardhjen e Haradinajt mund të jenë në total të rinj rreth 50-60, që kanë ardhur të rinj në krejt administratën potenciale, përfshirë edhe këshilltarët që nuk janë aq shumë sa po thonë”, ka thënë Haradinaj.

Këto komente Haradinaj i ka bërë gjatë një takimi me drejtues të Odës Ekonomike Amerikane, i cili ka theksuar se viti 2019 do të jetë i ekonomisë dhe ka premtuar se do të ketë lehtësira për biznese.

Ndërkohë që vazhdon të jetë në fuqi masa 100%  e vendosur ndaj mallrave serbe, kryeministri Haradinaj u ka bërë thirrje bizneseve vendore të mos e shfrytëzojnë një situatë të tillë duke ngritur çmimet.

I pari i Ekzekutivit ka folur edhe rreth gjendjes në Telekomin e Kosovës, për të cilin ka shfaqur shpresën se do të gjendet një zgjidhje për këtë  kompani.

Ndërsa, drejtori Ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane, Arian Zeka ka thënë se qëllimi i takimit është diskutimi lidhur me përshpejtimin e zhvillimit ekonomik.

Ai ka shfaqur shpresën që prioritetet e Qeverisë të jenë sa më gjithëpërfshirëse për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

“Ajo çka ne mund të diskutojmë bashkërisht, sidomos duke ditur që në ditët e para kryeministri Haradinaj ka proklamuar që 2019 do të jetë vit i zhvillimit ekonomik, unë besoj që inputi i juaj do të jetë shumë i vlefshëm për të dhe për gjithë kabinetin e tij, që prioritetet, të cilat do të përcaktohen, të jenë sa më gjithëpërfshirëse”, ka thënë Zeka.

Ndërsa,  Ilir Ibrahimi, kryetar i Bordit të OEA ka inkurajuar qeverinë për reformat qeveritare, por sipas tij, këto duhet të ndodhin në vazhdimësi për përmirësimin e klimës së të bërit biznes.

Back to top button