Hoti: Klasifikimi i veteranëve të bëhet deri më 31 maj

Kosova ka përfunduar me sukses rishikimin e dytë dhe të tretë të programit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN)

Kështu tha të mërkurën ministri i Financave, Avdullah Hoti në konferencën për medie, i cili përmendi se janë arritur të plotësohen të gjitha kushtet e nevojshme për rishikimin e dytë dhe të tretë sa i përket bilancit bankar për shpenzimet rrjedhëse, deficitin buxhetor dhe kritereve të tjera që parashihen në program.

Ky rezultat sipas Hotit ka ardhur në kuadër të performancës së mirë ekonomike sa i përket të hyrave dhe menaxhimit të rregullt të shpenzimeve.

Mirëpo, për rishikimin e katërt të programit të FMN-së, Kosovës i janë vënë dy kushte specifike sipas Hotit, njëra është për zbatimin e ligjit për klasifikimin e veteranëve të luftës dhe i dyti është për amandamentimin e ligjit për shkallën e invaliditetit të ish-ushtarëve të luftës.

Hoti tha se klasifikimi i veteranëve duhet të bëhet deri më 31 maj në përputhje me ligjin të cilin e ka nxjerrë Kuvendi në fund të vitit të kaluar, duke respektuar rregullin 0.7 për qind të Bruto Prodhimit Vendor që duhet të alokohet për këtë kategori.

“Ne presim që edhe rishikimin e katërt ta përfundojmë me sukses, i cili duhet të ndodhë gjatë muajve të verës, por janë dy kushte specifike për të përmbyllur me sukses programin me Fondin Monetar Ndërkombëtar. E para është ri- klasifikimi i veteranëve të luftës në përputhje me ligjin që është amandamentuar në dhjetor të vitit të kaluar, ngase kushti FMN-së është që të kryhet deri në fund të muajit maj. Dhe kushti dytë është amandamentimi i ligjit për invalidë të luftës, me ç’rast do të barazohet shkalla e invaliditetit të veteranëve të luftës me shkallën e invaliditetit të qytetarëve të tjerë”, theksoi ministri Hoti.

Ai shtoi se pjesë e diskutimit me FMN ishte edhe ideja për krijimin e një programi të ri pasi të mbyllet programi ekzistues, që ka të bëjë për rishikimin e skemave sociale dhe atyre pensionale, të cilat absorbojnë diku një të tretën e shpenzimeve buxhetore.

Po ashtu sipas Hotit edhe Pakoja 2 fiskale është diskutuar në FMN, për të cilën ka një qëndrim të përbashkët me këtë institucion financiar ndërkombëtar.

Hoti theksoi se pavarësisht nëse ndodhin edhe zgjedhjet e parakohshme ose zhvillimet tjera, obligimet që i ka Kosova në kuadër të programit të FMN-së janë obligime shtetërore të institucioneve të Kosovës, të cilat duhet të përmbushen nga cilado qeveri në ardhje.

Përveç takimeve me FMN, ky delegacion nga Kosova ka pasur takime të ngjeshura edhe me zyrtarë të lartë të Bankës Botërore, ku pritet që për pesë vitet e ardhshme kjo bankë do ta mbështesë Kosovën me 240 milionë euro. Sipas tij, BB është e gatshme ta mbështesë edhe projektin Kosova C.

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Bedri Hamza tha se Kosova ka një gjendje makro fiskale të qëndrueshme dhe një sistem të qëndrueshëm financiar. Ai ka parasysh se institucionet e Kosovës kanë shumë punë për të bërë edhe në zhvillimin e reformave dhe në përmirësimin e ambientit të përgjithshëm dhe në zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.

Sipas tij, sektori financiar i ka përmbushur të gjitha obligimet që kanë dalë si rezultat i kësaj marrëveshje me FMN.

Përfaqësuesi Rezident i FMN-së në Kosovë Ruud Vermeulen, theksoi se institucionet e Kosovës duhet t’i përmbushin obligimet për të kompletuar programin e FMN-së, në veçanti ri-klasifikimin e veteranëve të luftës.

 

Back to top button