Sipas Hotit, posti i presidentit është pjesë e marrëveshjes

Sipas Hotit, posti i presidentit është pjesë e marrëveshjes

Anëtari i LDK-së, Avdullah Hoti ka thënë se posti i presidentit është pjesë e marrëveshjes, duke shtuar se ka qenë në pjesën e ndarjes së përgjegjësive dhe iu është lënë liderëve që ta diskutojnë.

Hoti ka thënë se një çështje e tillë nuk është diskutuar në grupet punuese, por ka hyrë në pjesën e marrëveshjes.

“Te pjesa e ndarjes së përgjegjësive ka qenë e liderëve politik. Ende jemi brenda afatit kushtetues, presidenti ende nuk e ka ftuar seancën dhe jemi ende në kohë. Edhe pse duhet të ketë një besim më reciprok në mes të partnerëve dhe kujdes më të madh sepse kur qeverisim së bashku ne do të ballafaqohemi me situata të ndryshme”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka thënë se nëse Vetëvendosjes i duket që ata po kërkojnë shumë atëherë mund të ndërrohen me LDK-në, në mënyrë që ata ta marrin pozitën e presidentit, kryeparlamentarit dhe pesë ministri, ndërkaq LDK të marrë kryeministrin dhe pesë ministri.

Hoti tutje nuk ka dashur të komentojë nëse pozita e presidentit është pika e ndarjes me Vetëvendosjen, por shton se duan përgjegjësi të barabarta.

“Kryeministri është pozita kryesore në vend për nga fuqia ekzekutive. Është praktikë tash e 20 vjet në Kosovë që njëri e ka kryeministrin e tjetri e ka presidentin. Besoj që kjo është një marrëveshje fer. Njëri nga nënkryetarët tanë para disa ditëve tha se nëse besojnë që ka më shumë përgjegjësi njëra munden të ndërrohen”, ka thënë Hoti tha  në Interaktiv të KTV-së.

Ai ka shtuar se qytetarët që kanë votuar për deputetët duan që ata t’i zgjedhin edhe krerët e institucioneve të vendit.

Hoti ka thënë se ata pozita e kryeministrit është e pa negociueshme vetëm kur i fiton mbi 61 për qind të votave, duke shtuar se ata janë pajtuar që pozita e kryeministrit të jetë e Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas tij, qytetarët nuk i kanë dhënë besimin vetëm Vetëvendosjes apo vetëm LDK-së për të qeverisur.

Ai ka përsëritur se posti i presidentit është pjesë e marrëveshjes.

“Do të formohet edhe qeveria por edhe do të dakordohemi për pjesën se si do të zgjidhet presidenti”, ka thënë ai.