Inflacioni u ul në Shqipëri me 0.3%

Sjellja rënëse e inflacionit të ushqimeve vihet re edhe në pjesën më të madhe të vendeve të rajonit

Inflacioni pritet të ndjekë një trajektore rritëse në tremujorët e ardhshëm në Shqipëri, ndonëse rezultoi në nivelin mesatar vjetor 1.7% në tremujorin e tretë të vitit 2017, duke qëndruar 0.3% më poshtë se në tremujorin paraardhës, njofton Banka e Shqipërisë

Sipas BSH-së, rënia e normës së inflacionit u gjenerua kryesisht nga reduktimi i inflacionit të çmimeve të mallrave ushqimore të përpunuara dhe të shërbimeve të transportit. Sjellja rënëse e inflacionit të ushqimeve vihet re edhe në pjesën më të madhe të vendeve të rajonit, gjatë tremujorit të tretë të vitit.

Kategoritë e tjera të shportës ruajtën të njëjtin profil kontributesh si në tremujorin e kaluar. Mbiçmimi i kursit të këmbimit vazhdoi të ushtrojë presione dezinflacioniste në ekonomi. Të dyja kategoritë e ushqimeve vazhdojnë të ruajnë peshë mbizotëruese në formimin e inflacionit total (rreth 80%). Megjithatë, kontributi i tyre ra nga 1.6 pikë përqindje në tremujorin e dytë, në 1.4 pikë përqindje në tremujorin e tretë.

Peshën kryesore në rënie e dha kategoria “Ushqime të përpunuara”, kontributi i së cilës u pakësua nga 0.5 në 0.2 pikë përqindje. Çmimet e drithërave, si pjesë e rëndësishme e kësaj kategorie, kanë shfaqur norma inflacioni në rënie në krahasim me fillimin e këtij viti. Krahasuar me tremujorin e kaluar, kontributi i kategorisë “Ushqime të papërpunuara” shënoi rritje.

Kontributi pozitiv i kategorisë “Mallra të konsumit joushqimor” ruajti pothuajse të njëjtën vlerë (0.2 pikë përqindje) me një tremujor më parë. Brenda kësaj kategorie, kontributet e karburanteve dhe nëngrupit “veshje e këpucë” shënuan ngadalësim të theksuar. Kontribut më të ulët shënoi kategoria “Shërbime”, për shkak të rënies së çmimeve të shërbimeve të transportit dhe rënies së çmimeve të sigurimit të mjeteve motorike. Kategoritë “Strehim” dhe “Mallra konsumi afatgjatë” kontribuuan në masë të njëjtë në inflacionin total krahasuar me një tremujor më parë. Kategoria e dytë, edhe për këtë tremujor, ishte e vetmja që pati shenjë negative të kontributit (-0.1 pikë përqindjeje).

Banka e Shqipërisë vlerëson se rënia e inflacionit në tremujorin e tretë ishte e përkohshme.

 

Back to top button