Konfirmohet, i dyshuari për vrasje në Gjilan është Polic i Kosovës

I dyshuari është arrestuar

Një vrasje ka ndodhur sot në orët e hershme të mëngjesit në Gjilan. Lajmi për vrasje fillimisht për portalin rtv21.tv është konfirmuar nga zëdhënësi i policisë, Ismet Hashani.

“Mund të ju konfirmojë se rreth orës 04:50 në rrugën ‘Nato 99”, ka ndodhur një vrasje. Motivet ende nuk dihen. Policia dhe ekipet e tjera kanë ndalë në vendin e ngjarjes si dhe po i vazhdojnë hetimet. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor”, ka thënë Hashani.

Ndërsa, Inspektoriati i Policisë së Kosovës, konfirmon se i dyshuari për vrasje është pjeëtar i Policisë së Kosovës.

“Personi i dyshuar në këtë rast – zyrtari policor, është arrestuar nga Inspektorati Policor kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe është suspenduar nga detyra.”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Po ashtu bëhet e ditur se i dyshuari me inicialet V. H jashtë detyrës zyrtare ka shtënë me armë në drejtim të viktimës L.S.

“Hetuesit e IPK-së së bashku me njësitin e forenzikës dhe njësinë rajonale të hetimeve janë akoma duke bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes në vendin ku ka ndodhur incidenti në konsultim edhe me prokurorin kujdestar që është prezent aty.Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.“, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Po ashtu bëhet ditur se veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë incident do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës./21Media

Back to top button