Nga kjo shpërndarje do të përfitojnë 1844 punëtorë

Nga kjo shpërndarje do të përfitojnë 1844 punëtorë

Agjencia Kosovare e Privatizimit ka bërë shpërndarjen e fondeve të 20% nga çmimi i shitjes të dedikuara për punëtorët e 12 ndërmarrjeve shoqërore.

Pasi që janë krijuar kushtet ligjore të parapara me legjislacionin në fuqi që e rregullon çështjen e shpërndarjes së fondeve, Agjencia ka përgatitur dokumentacionin përkatës për shpërndarjen e saj për punëtorët e kualifikueshëm të 12 ndërmarrjeve shoqërorë dhe shuma e fondeve që është shpërndarë kësaj radhe është 1,249,202 euro.

Për ndërmarrjen NSH “Fabrika e Amortizatorëve” është bërë shpërndarja për herë të parë, ndërsa për të tjerat ka pasur dhe shpërndarje në të kaluarën.

Nga kjo shpërndarje do të përfitojnë 1844 punëtorë që i kanë plotësuar kriteret ligjore për të qenë pjesë në shpërndarje të 20%-it.

“Bartja e këtyre fondeve është bërë në llogarinë e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) në pajtim me nenin 10.5 të Rregullores së UNMIK-ut nr. 2003/13 (me ndryshime)”, thuhet në njoftimin e AKP-së.

Nga fondet e 20% deri me tani Agjencia ka shpërndarë rreth 127 milionë euro dhe nga këto shpërndarje kanë përfituar rreth 47 mijë punëtorë dhe ish-punëtorë të ndërmarrjeve shoqërore.