Partitë politike shpenzojnë rreth 1 milionë euro në media

Çmimet janë llogaritur në bazë të çmimeve aktuale të tregut dhe ofertave të këtyre operatorëve medial

Demokracia Plus (D+) dhe Çohu! kanë publikuar të premten pjesën e dytë të të dhënave për tetë ditë, për periudhën 31 maj-7 qershor 2017 nga procesi i monitorimit të kostos së fushatës zgjedhore, sipas së cilës koalicioni PDK-AAK-Nisma janë shpenzuesit më të mëdhenj gjatë kësaj fushate me 338 mijë e 140 euro.

D+ dhe Çohu!, dy organizatat e vetme të cilat monitorojnë shpenzimet e fushatës zgjedhore në Kosovë, për këtë koalicion kanë identifikuar shpenzimet në vlerë tregu prej 116 mijë e 560 euro në transmetimin e reklamave dhe spoteve elektorale, 104 mijë euro në xhirimin dhe transmetimin e tubimeve zgjedhore, 57 mijë e 410 euro në xhirimin e video spoteve zgjedhore, 52 mijë euro në reklama ne portale, 8 mijë e 170 euro në reklama në gazeta ditore.

Koalicioni LDK, AKR, Alternativa kanë shpenzuar 70 mijë e 850 euro në transmetimin e reklamave dhe spoteve elektorale, 80 mijë  euro në xhirimin dhe transmetimin e tubimeve zgjedhore, 64 mijë e 130 euro në xhirimin i video spoteve zgjedhore, 44 mijë e 100 euro në reklama në portale dhe 10 mijë e 360 euro në reklama në gazeta ditore, që në total i bie të jetë 269 mijë e 440 euro.

Lëvizja Vetëvendosje, e cila në zgjedhjet e 11 qershorit do të garojë e vetme, ka shpenzuar 12 mijë e 638 euro në transmetimin e reklamave dhe spoteve elektorale, 60 mijë euro në xhirimin dhe transmetimin e tubimeve zgjedhore, 4 mijë e 150 euro në xhirimin e video spoteve zgjedhore, 6 mijë e 325 euro në reklama në portale dhe 1 mijë e 300 euro në reklama në gazeta ditore, që në total kap shumën 84 mijë e 413 euro.

Në kuadër të këtij monitorimi janë përcjellë katër televizione duke përfshirë Radio Televizionin 21 (RTV21), Radio Televizionin e Kosovës (RTK), Kohavision (KTV) dhe Klan Kosova.

Në anën tjetër janë monitoruar pesë gazeta ditore, duke përfshirë Koha Ditore, Zëri, Kosova Sot, Bota Sot, Epoka e Re. Ndërsa portalet e monitoruara janë Gazeta Express, Telegrafi, Koha.net, Zeri.info, Indeksonline, Insajderi, Lajmi.net dhe Gazeta Blic.

Të gjitha çmimet janë llogaritur në bazë të çmimeve aktuale të tregut dhe ofertave të këtyre operatorëve medial. Edhe shërbimet eventuale të ofruara pa pagesë apo si shërbime në natyrë është obligim ligjor që të raportohet, pasi e njëjta mund të kthehet në favore të ndryshme nga partitë politike pas zgjedhjeve.

Në vazhdim të këtij monitorimi D+ dhe Çohu! Bëjnë të ditur se do të dalin me të dhëna të shpenzimeve të subjekteve politike nga terreni duke përfshirë shpenzimet e tubimeve dhe materialeve zgjedhore propaganduese, si dhe shpenzimet në mediat e tjera, përfshirë edhe ato lokale.

Ndryshe, kjo iniciativë është mbështetur nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS).

Back to top button