15 raste të korrupsionit të lartë

Sipas Lumezit, luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet një nga sfidat kryesore të sistemit gjyqësor

Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu” sot ka prezantuar raportin ” Qasja në drejtësi dhe të drejtat e njeriut”, sipas të cilit janë gjetur 15 raste të korrupsionit të nivelit të lartë në të cilat janë të përfshirë 140 persona.

Gjatë monitorimit një vjeçar, ”Çohu” në partneritet me CSD ka monitoruar 102 raste me 214 seanca gjyqësore në Gjykatat Themelore në Prishtinë, Gjilan dhe Mitrovicë me ç’rast janë identifikuar shkelje të ndryshme në sistemin gjyqësor në  këto tri gjykata.

Sipas të gjeturave, shkeljet e identifikuara janë të natyrës teknike dhe procedurale, deri tek ato përmbajtësore.

Genc Nimoni nga Çohu  tha se për këtë periudhë janë fokusuar kryesisht në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar me ç’rast siç tha ai, kanë përdorur mjetet ligjore.

“Një pikë e veçantë që kemi trajtuar në raport është drejtësia në veri, kemi identifikuar shkelje të natyrave të ndryshme. Nëse e shikojmë pak historikun, atëherë vërejmë që keni hyrë në vitin e nëntë të mosfunksionimit të gjyqësorit në regjionin e Mitrovicës”, tha ai.

Prokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi tha se të gjeturat në këtë raport janë të rëndësishme dhe se nuk duhet të shihen si mangësi por si objektiva. “Luftimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet një nga sfidat kryesore të sistemit gjyqësor evropian dhe një nga kërkesat themelore për shtetin e Kosovës”, u shpreh ai./21Media

Back to top button