Përforcohet siguria në kufirin maqedono-grek

Gjendja në kufirin turko-grek ende është e njëjtë

Mijëra emigrantë gjenden para kufirit të Greqisë, të cilët edhe më tej përplasen me policinë dhe ushtrinë greke që e bllokojnë hyrjen në Greqi.

Pasi që me gaz-lotsjellës dhe shok bomba u përpjekën që të largojnë emigrantët në rajonin Evros, Athina zyrtare e akuzoi Ankaranë se me shpërndarjen e informacioneve jo të sakta krijon tension në kufi.

Kryeministri Kirijakos Micotakis, paralajmëroi se Qeveria e Greqisë për një muaj do ta shfuqizojë të drejtën për kërkimin e azilit. Në kufirin e Maqedonisë tani për tani është qetë, nuk ka emigrantë, as forca të shtuara policore, tha për TV21, Jasmina Kostadinova, nga OJQ LEGIS.

“Nuk kemi paralajmërime për ndonjë valë të re, nuk ka më shumë emigrantë, kështu që gjendja është shumë e qetë. Nuk ka vend për panik. Nuk ka ndonjë tension, nuk ka rezerva ushqimi, nuk sillet diçka shtesë, kështu që gjendja është shumë e qetë”, deklaroi Jasmnia Kostadinova nga “Legis”.

Edhe autoritetet thonë se do të ndërmerren të gjithë masat e nevojshme për mbrojtjen e kufirit. Kryeministri i Maqedonisë, Oliver Spasovski, thotë se po e ndjekin gjendjen, ndërsa nëse vjen deri te hapja e rutës, emigrantët vendin do ta shfrytëzojnë vetëm për transit.

“Nëse vjen deri te hapja e rutës, përkatësisht rritje e numri të emigrantëve, Republika e Maqedonisë së Veriut do të jetë vetëm për transit ose qëndrim i përkohshëm deri më 72 orë. Jemi në komunikim të vazhdueshëm dhe kemi bashkëpunim të mirë me shtetet fqinje. Disa herë kam theksuar se çështja e emigrantëve nuk është çështje që mund ta zgjidh një shtet, por duhet të ndërtohet politikë e përbashkët për shkak se ne përballemi me pasojat dhe nuk e zgjidhim problemin”, tha Spasovski.

Këtë mëngjes u mbajt edhe seanca e Komitetit administrativ ku është vendosur se përveç 130 pjesëtarëve të tanishëm të policisë së shteteve partnere, në mënyrë shtesë të dërgohen pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë së Maqedonisë. Ministri për punë të brendshme, Naqe Çulev, tha se janë në kontakt të vazhdueshëm me Fronteks, me BE, me Organizatën ndërkombëtarë për migrim, me OSBE dhe kolegët nga Greqia dhe Bullgaria.

“Komiteti administrativ ka sjellë vendim që ta ndjek me vëmendje gjendjen dhe në kohë të informohet, të kontrollohet gardhi me tela në kufirin maqedono-grek dhe aty ku është i dëmtuar të intervenohet. Duke filluar nga sot, janë dërguar edhe 30 pjesëtarë shtesë të njësitit të veçantë të policisë në pjesën e sigurimit të kufirit mes Maqedonisë dhe Greqisë si dhe 30 pjesëtarë të Armatës”, tha ministri Çulev.

Ndërsa, para disa ditëve, Agjencia e BE-së për mbrojtjen e kufijve të jashtëm Fronteks, dorëzoi raport sekret ku thuhet se pritet emigrim masiv nga Turqia.

“Do të jetë vështirë të ndalohet një numër i madh i njerëzve që udhëtojnë në Evropë. Presioni do të rritet vetëm në disa ditë në vijim”- thuhet në raport.

Më tej, Fronteks parasheh se emigrantët nuk do të ndalohen me intervenimin e autoriteteve turke, nëse vendosin përsëri të mbyllin kufirin drejt Greqisë./21Media

Back to top button