Protestojnë specialistët stomatologë, kërkojnë punë

Protesta do të mbahet në orën 10:00

​Specialistët stomatologë të papunë sot në orën 10:00 do të protestojnë para Qeverisë së Kosovës. Kjo protestë organizohet në vazhdën e protestave të mbajtura para Ministrisë së Shëndetësisë. Sipas stomatologëve, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, nuk po pranon që të takohet me ata. Ata akuzuan ministrin dhe kreun e PDK-së, Kadri Veseli, pasi u kanë premtuar se nga 1 janari i këtij viti nuk do të ketë specialistë të papunë në Kosovë.

“Tash ka kaluar më shumë se 1 vit nga ky afat, ne vazhdojmë të bredhim rrugëve, duke kërkuar të drejtën tonë për punësim, pas 22 viteve shkollim. Shumë nga koleget tanë, të cilët me të drejtë nuk iu kanë besuar premtimeve boshe, e kanë bërë zgjidhjen individuale duke u larguar për në vendet e BE-së, e kryesisht në Gjermani. Jemi të bindur që nëse nuk na bëhet një zgjidhje e shpejtë, edhe ne të tjerët nuk do të kërkojmë më “mëshirë” nëpër rrugë.”, bëhet e ditur në njoftimin e specialistëve.

Specialistë të Stomatologjisë kanë protestuar edhe më 18 janar, para objektit të ministrisë së Shëndetësisë. Mirjeta Berisha, specialiste e Stomatologjisë, ka thënë se është diskriminuese dhe nënçmuese që këta specialistë me 24 vjet shkollë të mbesin pa punë, e të sillen rrugëve. Pas një takimi që ka pasur me këshilltarët politik të ministrit të Shëndetësisë, ajo u ka bërë thirrje gjithë deputetëve që të përkrahin ndryshimet buxhetore dhe të përkrahin ministrin në gjetjen e një zgjidhje.

Back to top button