Qeveria ndan mijëra euro nga rezervat për Rezidencën Rugova

Hamza: E kemi obligim për t’i ndarë këto mjete

Qeveria e Kosovës ka prekur edhe një herë në rezervat e shtetit, në mbledhjen e sotme.

Këtë herë, qeveria ka ndarë 57 mijë e 944 euro për rezidencën e familjes së ish- presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova, në lagjen Velania në Prishtinë.

Propozimi i bërë nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Kujtim Gashi, është miratuar nga kabineti qeveritar.

Paratë janë dhënë me arsyetimin e pagesës së “punonjësve me kontrata për shërbime të veçanta” në këtë rezidencë.

Në tetor të vitit të kaluar, gjithashtu me kërkesë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Qeveria kishte ndarë 27 mijë e 857 euro për pagesën e punonjësve për “shërbime të veçanta” në të njëjtën rezidencë.

Ministri i Financave, Bedri Hamza tha se “e kemi obligim” për t’i ndarë këto mjete dhe se kjo shumë e parave ndahet nga rezervat e shtetit dhe pagesa bëhet përmes MKRS-së.

Presidenti Ibrahim Rugova ka vdekur në janar të vitit 2006, ndërsa në rezidencë jetojnë familja e ngushtë e tij./kallxo.com

Back to top button