Studentët ndezin tymuese para kryeministrisë

Kërkojnë që 9 pikat të plotësohen me amendamente në Parlament

Pas festave të fundvitit, studentët i janë rikthyer këtë të hënë protestave. Zgjidhjen e dhënë nga kryeministri nuk e pranojnë pasi e duan me votën në parlament dhe jo me vendim të këshillit të ministrave. Në protestën e sotme atyre u janë bashkuar dhe qytetarë, banorët e Astirit, minatorë , përfaqësues të shoqërisë civile, artistë etj.

Prej orës 10:00 vijon protesta e studentëve para Kryeministrisë, të cilët kërkojnë nga kryeministri të amendojë ligjin e arsimit të lartë. Sipas tyre, VKM e miratuar nga Rama mund të ndryshojë çdo moment, ndaj për kërkesat e tyre kërkojnë “vulën” e parlamentit.

Sikundër kishin paralajmëruar supriza, studentët rreth orës 11:53 ndezën flakadanë.

“Nuk do ta lejojmë më këtë ligj të jetë në fuqi. Ky ligj vazhdon dhe merr gjakun e prindërve tanë.Sot duhet të jemi më të bashkuar se kurrë. Nesër ne do të na merret e ardhmja dhe rinia. Qëndroni të bashkuar. Kjo protestë është për të gjithë rininë, studentët, të gjithë gjimnazistët. Nëse nuk ngrejmë zërin sot, nesër do të jemi një hiç”, tha një studentë.

“Edhe Zoti është me ne, shikoni çfarë dielli. Kuptojeni paketën e Kryeministrit. VKM ndryshon me vullnetin e Kryeministrit në çdo moment. Paketa që na propozon me kushtin e anglishtes falas përveçse nuk na ndihmon, na fyen inteligjencën. Ne nuk jemi vetëm për veten tonë, por mendojmë dhe për brezat e ardhshëm. Ne kërkojmë që pozitë dhe opozitë të na mbështesin me vepra, duke shkuar në parlament të amendojnë ligjin me 3/5 në mënyrë që kushdo që të vijë në qeveri të mos guxojë ta prekë ligjin e arsimit të lartë. Më kanë ardhur mesazhe nga prindër të studentëve në Tiranë dhe rrethe, janë kontaktuar duke i shantazhuar që fëmijët e tyre të futen nëpër Fakultete”, tha një student tjeter./oranews

Back to top button